​Flamuri i BE-së pjesë e parlamentit të Ukrainës

Evropë

​Flamuri i BE-së pjesë e parlamentit të Ukrainës

Më: 1 korrik 2022 Në ora: 14:15
Zelensky

Me një ceremoni solemne, flamuri i BE-së u bë sot pjesë e parlamentit të Ukrainës.

Duke iu drejtuar këtij parlamenti, presidentja e Komisionit Evropian, Ursula von der Leyen tha se komuniteti ndërkombëtar po mobilizohet për të mbështetur përpjekjet për rindërtimin e vendit.

Të hënën e ardhshme, Von der Leyen, presidenti Zelensky dhe kryeministri Shmyhal do të marrin pjesë në konferencën e Luganos për rindërtimin e Ukrainës.

“Rruga juaj evropiane dhe rindërtimi i vendit do të ecin paralelisht. Ukraina do të jetë në krye. Do të duhet të bëhen investime masive. Por për të maksimizuar ndikimin e tyre dhe për të nxitur besimin e biznesit, investimet do të duhet të shoqërohen me një valë të re reformash”, tha Von der Leyen.

“Kjo është një histori në zhvillim e sipër. Sot në mëngjes, flamuri i BE-së u vendos në sallën plenare të Parlamentit të Ukrainës, dhe do të qëndroje këtu”, shkroi në Linkedin Komisioni Evropian.

“Ne besojmë në të ardhmen evropiane të Ukrainës. Dhe arsyeja është e thjeshtë. Arsyeja është këmbëngulja e popullit ukrainas, vendosmëria e tyre, pasioni i tyre për Evropën. Dëshira e tyre për të jetuar ëndrrën evropiane në vendin e tyre të bukur”, sipas KE-së.

“Ukraina tani ka një perspektivë të qartë evropiane dhe është kandidate për t’u anëtarësuar në Bashkimin Evropian. Ka një rrugë të gjatë përpara, por Evropa do të jetë në anën e tyre në çdo hap të rrugës”, shkruan Komisioni Evropian në Linkedin.

Më 23 qershor BE-ja i dha zyrtarisht statusin e kandidatit për anëtarësim Ukrainës dhe Moldavisë.

Vendimi erdhi pas disa muajsh presioni nga Ukraina e shkatërruar nga lufta dhe Moldavia fqinje për të nisur procesin e gjatë të anëtarësimit në bllokun prej 27 anëtarësh.

Anëtarësimi në BE, një proces i ndërlikuar politikisht dhe juridikisht, mund të zgjasë për vite me radhë, ndërsa vendet aspirante duhet t’i nënshtrohen etapave të panumërta për t’u konsideruar kandidate të pranueshme.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat