Britania e Madhe ka njoftuar se nesër do të vendosë sanksione të reja ekonomike, tregtare dhe transporti kundër Bjellorusisë për shkak të mbështetjes së këtij vendi për sulmin e Rusisë ndaj Ukrainës.
Paketa e re e masave ndëshkuese do të përfshijë ndalimin e importit dhe eksportit të mallrave me vlerë rreth 60 milionë funte, duke përfshirë eksportin e produkteve të naftës, shitjen e komponentëve të teknologjisë së avancuar, eksportin e mallrave luksoze, si dhe importin e hekurit dhe çelikut.
Qeveria britanike do të ndalojë gjithashtu disa kompani bjelloruse të hyjnë në tregun e borxhit dhe të emetojnë letrat e tyre me vlerë në bursën e Londrës.
Britania ka rritur tashmë tarifat e importit për një sërë produktesh nga Bjellorusia me 35 pikë përqindjeje dhe ka sanksionuar presidentin bjellorus Alexander Lukashenko dhe zyrtarë të lartë të qeverisë.