Luftimet vazhduan të pandërprera në Ukrainë më 25 gusht, ndërsa pushtimi i Ukrainës nga ana e Rusisë hyri në muajin e shtatë, me forcat e Moskës që qëlluan me municione thërrmuese në një qytet qendror një ditë pasi të paktën 22 njerëz u vranë në një sulm me raketa ruse në një stacion hekurudhor të Ukrainës.
Ndërsa ukrainasit festuan 31 vjetorin e pavarësisë nga Bashkimi Sovjetik më 24 gusht, Presidenti Volodymyr Zelensky akuzoi Rusinë për sulmin me raketa që goditi stacionin hekurudhor të Çapline në rajonin jugor të Dnipropetrovskit, duke vrarë të paktën 22 njerëz dhe duke plagosur më shumë se 50 të tjerë.
Zyra e Presidentit të Ukrainës tha se një fëmijë 11 vjeç ishte vrarë në një sulm tjetër me raketa në një pjesë tjetër të po këtij rajoni.
“Çapline është dhimbja jonë sot. Deri në këtë moment janë 22 të vdekur, pesë prej tyre të djegur në një makinë hekurudhore”, tha Zelensky në fjalimin e tij të mbrëmjes. "Operacionet e kërkim-shpëtimit në stacionin hekurudhor do të vazhdojnë. Ne patjetër do t'i bëjmë pushtuesit të përgjigjen për gjithçka që kanë bërë. Dhe sigurisht që do t'i dëbojmë pushtuesit nga toka jonë."
Në fillim të 25 gushtit, forcat ruse bombarduan qytetin qendror të Kryvyi Rih me municione thërrmuese, tha në Telegram kreu i administratës ushtarake të Kryvyi, Rih Oleksandr Vilkul, duke shtuar se deri më tani nuk ka raporime për viktima apo dëme. Municionet thërrmuese janë ndaluar nga shumica e kombeve për shkak të efektit të tyre shkatërrues dhe pa dallim mbi personelin ushtarak dhe civilët.
Më herët, duke pranuar numrin e madh të viktimave që nga nisja e pushtimit më 24 shkurt, Zelensky u zotua se vendi i tij "i rilindur" do të luftonte trupat ruse "deri në fund". Kievi dhe disa qytete të tjera të mëdha ndaluan festimet publike mes paralajmërimeve se Rusia do ta përdorte rastin për të goditur infrastrukturën civile dhe atë qeveritare.