Debati i Bashkimit Evropian për vizat ruse

Evropë

Debati i Bashkimit Evropian për vizat ruse

Më: 30 gusht 2022 Në ora: 23:13
Foto ilustrim

Ministrat e jashtëm të Bashkimit Evropian, që po takohen në Pragë, ka të ngjarë të bien dakord të pezullojnë një marrëveshje me Moskën për lehtësimin e vizave. Kjo do të zgjaste procesin e marrjes së vizave dhe koston për rusët, ndërsa disa vende të bllokut nuk pajtohen për ndalimin plotësisht të dhënies së vizave për në vendet e Bashkimit Evropian.

Gjermania dhe Franca argumentojnë se ndalimi i vizave për rusët e zakonshëm nuk do të kishte rezultatet e duhura. Pas agresionit rus në Ukrainë, Kievi bëri thirrje për bllokimin e vizave për rusët, çka ka gjetur mbështetje mes disa vendeve të bllokut.

Pezullimi i marrëveshjes me Moskën për lehtësimin e vizave, është pothuajse i sigurtë, tha një diplomat i lartë i Bashkimit Evropian.

Ministrja e Jashtme e Gjermanisë, Annalena Baerbock, argumentoi se nuk duhet shkuar përtej kësaj. “Është thelbësore të mos ndëshkohen disidentët që po përpiqen të largohen nga Rusia”, tha ajo.

Përmes një deklarate të përbashkët, Franca dhe Gjermania u shprehën se: “Paralajmërojmë ndaj kufizimeve të gjera në politikën e dhënies së vizave, në mënyrë që të parandalojmë dezinformimin rus dhe efektin e nxitjes së tubimeve të paqëllimshme rreth flamurit dhe/ose pakënaqësinë e brezave të ardhshëm”.

Ukraina reagoi me shpejtësi. Ministri i Jashtëm Dmytro Kuleba hodhi poshtë argumentin se udhëtimi në Perëndim mund t’u ndryshojë mendjen rusëve, duke thënë se Moska bëri një luftë të shkurtër me Gjeorgjinë dhe aneksoi Krimenë që nga marrëveshja për lehtësimin e vizave me BE-në në vitin 2007.

“Udhëtimi në BE nuk ka patur efekt transformues mbi Rusinë”, tha ai. “Për ta transformuar Rusinë, mbyllni derën për turistët rusë”.

Vendet lindore dhe nordike mbështesin fuqimisht një ndalim të vizave turistike. Disa prej tyre thonë se mund të dalin me projekt për krijimin e një vize rajonale, nëse nuk do të kishte marrëveshje të bllokut.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat