Presidenti Vladimir Putin ka miratuar doktrinën e re të politikës së jashtme të bazuar në konceptin e "Bota Ruse", një nocion që ideologët konservatorë e kanë përdorur për të justifikuar ndërhyrjen jashtë vendit në mbështetje të rusisht folësve.
E quajtur “Politika Humanitare”, botuar më shumë se gjashtë muaj pas nisjes së agresionit ushtarak në Ukrainë, dokumenti prej 31 faqe thotë se Rusia duhet “të mbrojë, ruajë dhe avancojë traditat dhe idealet e botës ruse”.
Ndonëse paraqitet si një lloj strategjie e fuqisë së butë [softpower], ajo mishëron në politikën zyrtare idetë rreth politikës dhe fesë ruse që disa zyrtarë, të vijës së ashpër, e kanë përdorur për të justifikuar pushtimin e pjesëve të Ukrainës nga Moska dhe mbështetjen për entitetet separatiste pro-ruse në lindje të vendit.
“Federata Ruse ofron mbështetje për bashkatdhetarët e saj që jetojnë jashtë vendit në përmbushjen e të drejtave të tyre, për të siguruar mbrojtjen e interesave të tyre dhe ruajtjen e identitetit të tyre kulturor rus”, thuhet në dokument.
Aty po ashtu theksohet se lidhjet e Rusisë me bashkatdhetarët e saj jashtë vendit e lejuan atë të "forconte në skenën ndërkombëtare imazhin e saj si një vend demokratik që përpiqet të krijojë një botë shumëpolare".
Putin prej vitesh ka nxjerrë në pah atë që ai e sheh si fatin tragjik të rreth 25 milionë rusëve etnikë të cilët e gjetën veten duke jetuar jashtë Rusisë në shtetet e reja të pavarura kur Bashkimi Sovjetik u shua në vitin 1991, një ngjarje që ai e ka quajtur një katastrofë gjeopolitike.
Rusia ka vazhduar ta konsiderojë hapësirën ish-sovjetike, nga Baltiku deri në Azi Qendrore, si sferën e saj legjitime të ndikimit – një nocion i rezistuar ashpër nga shumë prej atyre vendeve, si dhe nga Perëndimi.
Politika e re thotë se Rusia duhet të rrisë bashkëpunimin me kombet sllave, Kinën dhe Indinë dhe të forcojë më tej lidhjet e saj me Lindjen e Mesme, Amerikën Latine dhe kontinentin afrikan.
Dokumenti thekson se Moska duhet të thellojë më tej lidhjet e saj me Abkhazinë dhe Osetinë, dy rajone gjeorgjiane të njohura si të pavarura nga Moska pas luftës së saj kundër Gjeorgjisë në vitin 2008, si dhe dy entitetet separatiste në Ukrainën lindore, Republikën e vetëquajtur Popullore të Donetskut dhe ajo e Luhanskun.
Duke folur në një video-konferencë mbi zhvillimin afatgjatë socio-ekonomik të aglomeracionit Petropavlovsk-Kamchatka, Putin aludoi se vendet ku ishte derdhur gjaku rus kanë një rëndësi shumë të veçantë.
Duke folur për viktimat ruse në luftën e Krimesë të vitit 1854 (në të cilën Rusia humbi nga një aleancë e Perandorisë Osmane, Francës, Mbretërisë së Bashkuar dhe Piemonte-Sardenisë), Putin foli për heroizmin e ushtrisë cariste ruse dhe se Rusia e sotme duhet të justifikojë viktimat.
“Ne kemi një detyrë të shenjtë përpara nesh, e cila konsiston në sigurimin që sakrificat e bëra nga brezat e mëparshëm të jenë të justifikuara. Sot është në duart tona. Ne duhet ta bëjmë këtë sot”, tha Putin.