Anëtari i Presidencës boshnjake, Milorad Dodik, i është vardisur presidentit turk Erdogan, para takimit me të. Erdogan do ta vizitojë Sarajevën, Zagrebin e Beogradin gjatë këtyrë dy ditëve.
Dodik ka thënë se do të flasë me presidentin turk për autostradën Sarajevë-Beograd.
Dodik tha se në Republika Srpska tashmë po ndërtohen disa seksione, por asgjë në pjesën tjetër të Bosnjes.
“Kjo autostradë nuk funksionon fare dhe nuk po bëhet asgjë në territorin e Federatës. Tashmë kemi marrë disa masa, disa pjesë të rrugës tashmë janë duke u ndërtuar. Në çdo rast kemi një sërë projektesh të dakorduara më parë që ne duhet të zbatojmë”, tha Dodik.
Ai tha se do të jetë interesante të dëgjohet se çfarë mendon Erdogan për zhvillimet globale, aq më tepër që Turqia “ka një qëndrim goditës për krizën në Ukrainë”.
Dodik tha se Erdogan është një burrë shteti i madh, dhe se deri më tani ka treguar një qëndrim shumë të qartë në çdo gjë dhe se i respekton të gjithë.
Presidenti i Turqisë, Rexhep Tajip Erdogan, nesër do të zhvillojë një vizitë zyrtare në Bosnje dhe Hercegovinë.