​Pritjet e investitorëve në Gjermani në nivelin më të ulët që nga 1992

Evropë

​Pritjet e investitorëve në Gjermani në nivelin më të ulët që nga 1992

Më: 13 shtator 2022 Në ora: 19:59
Foto ilustrim

Pritjet e investitorëve për ekonominë gjermane ranë në shtator në nivelin më të ulët që nga fundi i vitit 1992 për shkak të mungesave të mundshme të energjisë gjatë dimrit dhe të dhënave shqetësuese nga Kina, tregoi të martën një studim i Institutit ZEW.

Indeksi i pritjeve të ZEW për ekonominë në gjashtë muajt e ardhshëm ra në shtator me 6.6 pikë krahasuar me gushtin, në minus 61.9 pikë, niveli më i ulët që nga dhjetori 1992, treguan rezultatet e vrojtimit.

Ekspertët e tregjeve financiare kanë një vlerësim më të keq për situatën aktuale ekonomike, duke gjykuar nga rënia e indeksit me 12.9 pikë, në minus 60.5 pikë.

Perspektiva për pjesën më të madhe të industrisë gjermane u përkeqësua më tej në shtator për shkak të mungesës së mundshme të energjisë, tha presidenti i ZEW, Achim Wambach.

Kësaj i duhet shtuar një vlerësim më i dobët i rritjes në Kinë, shton Wambach, duke theksuar se të dhënat aktuale statistikore tregojnë tashmë një rënie të porosive të reja, prodhimit dhe eksporteve.

Dhe një studim i veçantë për eurozonën tregoi përkeqësim të pritjeve në shtator, të shprehura në një rënie prej 5.8 pikësh të indeksit në krahasim me gushtin, në minus 60.7 pikë.

Indeksi, i cili mat vlerësimin e investitorëve për situatën aktuale në ekonominë e zonës së aplikimit të monedhës së përbashkët evropiane, ra edhe më shumë, me 16,9 pikë, në minus 58,9 pikë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat