Lufta në Ukrainë do të mbizotërojë diskutimet në Asamblenë e OKB-së

Evropë

Lufta në Ukrainë do të mbizotërojë diskutimet në Asamblenë e OKB-së

Më: 15 shtator 2022 Në ora: 17:06
Ukrainë

Mbledhja e këtij viti e udhëheqësve në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së po zhvillohet nën hijen e funeralit të Mbretëreshës Elizabeth II dhe ndërsa lufta në Ukrainë po shkon drejt një periudhe ndoshta vendimtare.

Funerali i Mbretëreshës Elizabeth më 19 shtator ka paraqitur sfida logjistike për udhëheqësit që marrin pjesë në Sesionin e 77-të të Asamblesë së Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, disa prej të cilëve duhet të udhëtojnë me shpejtësi nga Londra në Nju Jork për të mbajtur fjalimet e tyre.

Takimi i këtij viti zhvillohet në një kohë t“rreziku të lartë”, thotë Sekretari i Përgjithshëm i OKB-së, Antonio Guterres.

“Bota jonë është e shkatërruar nga lufta, e goditur nga kaosi mjedisor, e plagosur nga urrejtja dhe e turpëruar nga varfëria, uria dhe pabarazia” thotë zoti Guterres

Lufta e Rusisë në Ukrainë, e cila mund të jetë në një moment vendimtar ushtarak, me siguri do të mbizotërojë takimet vjetore.

Këshilli i Sigurimit i OKB-së po mblidhet të enjten në nivelin e ministrave të jashtëm për të diskutuar zhvillimet.

Situata e centralit bërthamor në Zaporizhzhia është një shqetësim i veçantë.

“Ne po luajmë me zjarrin. Nuk mund të vazhdojmë në situatën ku jemi një hap larg një aksidenti bërthamor. Siguria e centralit të Zaporizhzhias është para shpërthimit”, thotë Drejtori i Përgjithshëm i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike.

Zyrtarët perëndimorë, ndërkohë, duan të forcojnë mbështetjen nga disa vende qëndrimet e të cilave po lëkunden.

“Shumë vende afrikane dhe aziatike kanë marrëdhënie sigurie ose ekonomike me Rusinë. Ndonëse ishin të gatshëm të kritikonin pushtimin në mars, ata nuk duan të vazhdojnë të grinden me Moskën në OKB”, thotë Richard Gowan që e udhëheqë Grupin Ndërkombëtar të Krizave në OKB.

Për këtë çështje nuk pritet ndonjë rezultat pasi presidenti rus, Vladimir Putin nuk do marrë pjesë, ndërsa dhe pjesëmarrja e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy, është e pasigurt

“Unë nuk kam iluzione, shanset për një marrëveshje paqeje momentalisht janë minimale”, tha Shef i OKB-s, Guterres.

Rusia dhe Ukraina janë prodhues të rëndësishëm të ushqimit dhe lufta e tyre ka përkeqësuar krizën globale ushqimore.

Ndërprerjet në furnizim dhe rritja e çmimeve të ushqimeve po përkeqësojnë situatën në Afrikën Lindore, zonë që po vuan thatësirën më të keqe në 40 vjet.

Rreth 20 milionë njerëz janë në rrezik të urisë së rëndë, dhe uria po afrohet për gati 8 milionë njerëz në Somali.

“Uria, është e vërtetë dhe po ndodh”, thotë Abdirahman Abdishakur, i dërguar i posaçëm somalez për reagimin ndaj thatësirës.

Presidenti Joe Biden pritet të drejtojë një nga takimet e veçanta mbi sigurinë globale të ushqimit.

Sekretari i Përgjithshëm sapo u kthye nga Pakistani, ku përmbytjet vdekjeprurëse kanë përmbysur një të tretën e vendit.

“Ajo që po ndodh në Pakistan tregon mosreagimin e duhur ndaj krizës mjedisore, krahas tradhëtisë dhe padrejtësinë që gjendet në zemër të mos reagimit”, tha zoti Guterres.

Kjo është hera e parë që udhëheqësit do të shkojnë fizikisht në Asamblenë e Përgjithshme nga viti 2020, fillimi i pandemisë të COVID-19, e cila është larguar nga vëmëndja ndërsa udhëheqësit përballen me çështje më serioze./VOA

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat