Më shumë se një javë nga vdekja e saj dhe tre ditë nga varrimi i saj, të hënën, trupi i mbretëreshës Elizabeth ruhet hermetikisht.
Pyetja që shumëkush mund të ketë është se si ruhet pa filluar procesi normal i kalbjes, i cili fillon rreth dy ditë pas vdekjes.
Një përgjigje jep rrjeti gjerman n-tv, i cili thekson se “kufoma duhet të përgatitet në përputhje me rrethanat”.
Markus Gebauer, zëdhënës i shoqatës së shtëpive funerale në Saksoninë e Poshtme, i tha rrjetit gjerman RND se për të ndaluar procesin natyror të dekompozimit, “lëngjet trupore shkëmbehen me formaldehid dhe kimikate të tjera”.
Ky është një lloj balsamimi, i cili zgjat dy deri në gjashtë orë në varësi të gjendjes së trupit dhe e mban trupin në gjendje të mirë për dy deri në tre muaj.
Duke folur për rrjetin RTL të Gjermanisë, balsamuesi i certifikuar Philipp Berger shpjegoi se balsamuesit kujdesen për ruajtjen e të vdekurve. “Kjo përfshin ndalimin e përkohshëm të dekompozimit të trupit, në mënyrë që varrimi ose lamtumira e hapur të mund të bëhet më vonë”.
Balsamimi mund të përsëritet në intervale të rregullta, siç ishte rasti me trupin e Vladimir Leninit, i cili vdiq në janar 1924 dhe trupi i balsamosur i të cilit ka qëndruar në mauzoleun në Sheshin e Kuq në Moskë për gati një shekull.
“Ekspertët e dorëzojnë trupin e tij në një proces balsamimi me injeksione speciale çdo 12 muaj. Në varësi të procedurës, balsamimi mund të jetë i mjaftueshëm për një vit”, tha Berger.
A i ndodhi kjo edhe Elizabetës? Buckingham nuk komentoi, por ka mundësi që arkivoli të jetë bosh. Madje “Bild” pretendon se trupi ruhet me pllaka speciale ftohëse deri në varrim.