"10 vjet burg për ata që refuzojnë të shkojnë në luftime", Rusia ashpërson dënimet ushtarake

Evropë

"10 vjet burg për ata që refuzojnë të shkojnë në luftime", Rusia ashpërson dënimet ushtarake

Nga: A.SH Më: 20 shtator 2022 Në ora: 15:13
Vladimir Putin

Dhoma e ulët e parlamentit e kontrolluar nga Kremlini ka miratuar legjislacionin që ashpërson dënimin për ushtarët që shkelin detyrat e tyre, në një përpjekje të dukshme për të rritur disiplinën në radhët mes luftimeve në Ukrainë, përcjell Bota sot.

Ndryshimet në Kodin Penal të Rusisë, të cilat u miratuan shpejt nga Duma e Shtetit, parashikojnë dënime të rënda për moszbatimin e urdhrave, dezertimin ose dorëzimin ndaj armikut.

Projektligji duhet të marrë miratimin e dhomës së lartë dhe më pas të nënshkruhet nga presidenti Vladimir Putin për t'u bërë ligj - hapa që konsiderohen si formalitete.

Sipas legjislacionit të ri, braktisja e një njësie ushtarake gjatë një periudhe mobilizimi ose gjendjeje ushtarake do të dënohej me deri në 10 vjet burg, krahasuar me pesë vjet sipas ligjit aktual.

Ushtarët që do t'i dorëzohen vullnetarisht armikut do të përballen gjithashtu me një dënim deri në 10 vjet burg, dhe ata që dënohen për plaçkitje mund të dënohen me 15 vjet burg.

Një tjetër ndryshim parashikon një dënim me burg deri në 10 vjet për ata që refuzojnë të shkojnë në luftime ose të zbatojnë urdhrin e oficerit.

Legjislacioni i ri vjen pas raportimeve të mediave se disa ushtarë rusë në Ukrainë kanë refuzuar të shkojnë në luftime dhe janë përpjekur të japin dorëheqjen nga shërbimi.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat