Partia e ekstremit të djathtë të Italisë, Fratelli d'Italia (Vëllezërit e Italisë), e cila supozohet se do të fitojë zgjedhjet e së dielës, ka përjashtuar një nga kandidatët e saj për lavdërimin e Adolf Hitlerit në mediat sociale.
Në një postim në Facebook më 2014, Calogero Pisano, koordinatori i partisë në Agrigento, Sicili, e krahasoi lideren Giorgia Meloni me "një burrë shteti të madh të 70 vjet më parë". Ai shtoi se kishte për qëllim “gjermanin” dhe jo Benito Musolinin, shkruan BBC.
Partia tha se Pisano nuk përfaqëson më Vëllezërit e Italisë në asnjë nivel. Meloni po përpiqet të distancojë Vëllezërit e Italisë nga rrënjët e tyre neofashiste. Vëllezërit e Italisë kryesojnë në sondazhet përpara votimit të së dielës dhe kanë premtuar ulje taksash dhe kanë njoftuar një qëndrim të ashpër ndaj imigracionit.
Pisano shprehu gjithashtu mbështetjen e tij për presidentin rus Vladimir Putin, sipas mediave italiane.
Ruth Dureghello, presidente e komunitetit hebre të Romës, kritikoi komentet e Pisano. Ajo tha se "është e papranueshme që dikush që lavdëron Hitlerin të ulet në parlamentin e ardhshëm".
Vëllezërit e Italisë, një parti e themeluar në vitin 2012, i ka rrënjët e saj politike në Lëvizjen Sociale Italiane (MSI), e cila doli nga fashizmi i diktatorit Benito Musolini. Partia ruajti logon e partive të ekstremit të djathtë të pasluftës: flaka trengjyrësh, e cila shpesh perceptohet si zjarri që digjet mbi varrin e Musolinit.
Meloni thotë se dëshiron uljen e taksave dhe presidentin italian të zgjidhet me votë popullore. Ajo gjithashtu bën fushatë kundër të drejtave LGBT, dëshiron një bllokadë detare të Libisë dhe ka paralajmëruar vazhdimisht kundër "migrantëve myslimanë". Meloni hedh poshtë etiketën e fashizmit.
Në zgjedhjet e fundit italiane në 2018, partia e saj fitoi pak më shumë se katër për qind të votave, por tani është favorit për të fituar. Me mbështetjen e dy partive të tjera të krahut të djathtë, Lidhjes dhe Forza Italia, sondazhet tregojnë se ajo po shkon drejt shumicës në të dy Dhomat e Parlamentit italian.