Edhe fermerët janë mes rusëve që po dërgohen në ushtri, ka thënë presidenti Vladimir Putin në një takim me zyrtarët e shtetit të tij.
Dhe ky konfirmim, vlerësojnë mediat e huaja, sinjalizon rreziqe të mëtejshme të mundshme për të korrat e vitit 2023 – me Rusinë që është eksportuesi më i madh në botë i grurit.
“Dëshiroj t’u drejtohem edhe krerëve rajonalë dhe drejtuesve të ndërmarrjeve bujqësore. Në kuadër të mobilizimit të pjesshëm janë duke u thirrur edhe punëtorët e bujqësisë. Familjet e tyre duhet të mbështeten. Ju kërkoj t’i kushtoni vëmendje të veçantë kësaj çështjeje”, citohet të ketë thënë Putin në takimin e transmetuar në televizion.
Ndryshe, zyrtarët kanë thënë se 300,000 rusë të tjerë do të thirren për të shërbyer si pjesë e fushatës së mobilizimit.
Putin citohet të ketë theksuar gjithashtu në takim se Rusia është në rrugën e duhur për të korrur një prodhim rekord prej 150 milionë tonësh, përfshirë 100 milionë tonë grurë, në vitin 2022.