Operatori polka i gazsjellësve, “Gaz-System”, tha se të shtunën në mëngjes filloi qarkullimi i gazit nëpër gazsjellësin e ri, “Tubi Baltik”, nga Norvegjia, përmes Danimarkës e Detit Baltik.
Ky gazsjellës është në qendrën e strategjisë së Polonisë për t’i ndryshuar burimet e furnizimit me gaz me qëllim të shmangies së gazit rus. Zbatimi i kësaj strategjie ka nisur disa vjet para fillimit të pushtimit rus në Ukrainë, që nxiti krizë globale të energjisë, raporton agjencia “Reuters”.
Një zëdhënëse e operatorit “Gaz-System” i tha agjencisë së njohur të lajmeve se qarkullimi i gazit në gazsjellës filloi në orën 6 e 10 minuta në mëngjes dhe kërkesat për dërgimin e gazit përmes këtij gazsjellësi më 1 tetor e arrijnë shifrën e 62.4 milionë kilovatë/orë energji.
Ky gazsjellës, që ka kapacitet vjetor prej 10 miliardë metrash kub, u inaugurua zyrtarisht të martën, një ditë pas zbulimit të disa rrjedhjeve në gypat e gazsjellësit “Rrjedha Veriore”, që e lidh Rusinë me Evropën Qendrore.
Rusia ia ndërpreu Polonisë furnizimin me gaz në prill, kur autoritetet polake refuzuan që të paguanin në rubla.