Forcat ruse së shpejti do të shpenzojnë edhe furnizimet e tyre të fundit me karburant dhe nuk do të jenë në gjendje të transportojnë trupat e tyre në Ukrainë pas sulmit shkatërrues në urën e Kerçit midis Krimesë dhe Rusisë, thonë analistët.
“Nëse po flasim për aftësinë për të manovruar – mendoj se po flasim për pak ditë furnizimi”, citohet të ketë thënë për Sky News analisti i inteligjencës Forbes McKenzie.
Ata së shpejti nuk do të jenë në gjendje të lëvizin trupat e tyre, thonë vëzhguesit, gjë që do t’i vërë në vështirësi të mëdha nëse ukrainasit vazhdojnë të përparojnë.
Ndërkohë vlerësohet se presidenti Vladimir Putin do të ketë shpresuar se sulmi i tij raketor në të gjithë Ukrainën të hënën ka projektuar një imazh fuqie.
Por një gjë e tillë po lexohet në Perëndim si krejt e kundërta – si akti i një komandanti gjithnjë e më të dëshpëruar që i mbarojnë opsionet.
Putin paralajmëroi se sulmet me raketa mund të përsëriten nëse Ukraina kryen më shumë sulme ‘terroriste’ si ai në Urën e Kerçit. Por analistët ushtarakë në Perëndim vënë në dyshim aftësinë e tij për ta bërë këtë.
Sipas shkrimit të Sky News, armët e drejtuara me saktësi në distanca të gjata janë të shtrenjta për t’u prodhuar dhe Rusia e cila ka konsumuar shumë nga furnizimet e saj.
Rusia gjithashtu ka forcuar arsenalin e saj me dronët Shaheed të furnizuar nga Irani.
Por edhe ato janë duke u shpenzuar.
Ukraina ka qenë efektive në gjetjen e depove ku janë ruajtur dhe shkatërrimin e tyre.
Të dyja format e municioneve janë burime të kufizuara.