Në Raportin e së mërkurës për progresin e Bosnjë-Hercegovinës drejt Bashkimit Evropian, Komisioni Evropian do të rekomandojë dhënien e statusit të kandidatit për hyrje në Bashkimin Evropian.
Kështu së paku shkruan mediumi Politicki.ba, sipas të cilit, “siç na njoftuan nga Brukseli, Komisioni me shumë gjasa do të sugjerojë që vendit tonë t’i jepet statusi pasi të miratohen edhe tre ligje të tjera në nivel shtetëror”.
Pasi ai (Komisioni Evropian) të publikojë Raportin nesër, dokumenti do t’i paraqitet Parlamentit Evropian dhe vendeve anëtare.
Dhe më pas, Këshilli Evropian do të diskutojë raportin në samitin e tij më 15 dhe 16 dhjetor.
Para kësaj, çështja për Bosnje dhe Hercegovinën do të diskutohet në Këshillin e Punëve të Jashtme (FAC) të hënën.
Në këtë drejtim, vë në pah mediumi në fjalë, ministrat e Punëve të Jashtme të 27 vendeve të BE-së në Luksemburg pritet të reflektojnë për zgjedhjet e përgjithshme të zhvilluara në këtë vend.
Rekomandimi për të dhënë statusin e kandidatit të BeH, shkruan në fund ky medium, vjen pas lobimit të vazhdueshëm nga Austria dhe Sllovenia dhe Shërbimi Diplomatik i BE (EEAS).