Ndërsa strategët ushtarakë në Perëndim, po diskutojnë mbi të gjithë skenarët nga një përshkallëzim i mundshëm bërthamor i konfliktit nga ana e presidentit rus Vladimir Putin,
ata po vlerësojnë edhe rolin që mund të luajë mosbindja. Po sikur Putini të japë urdhrin për lëshimin e një arme bërthamore, por të tjerët në zinxhirin e komandës të refuzojnë ta zbatojnë?
A mos duhet që SHBA-ja dhe aleatët e saj të përpiqen t’i afrojnë fshehurazi këta individë?
Skenarët në të cilët mosbindja – nga kundërshtimi për shkak të ndërgjegjes tek rebelimi i drejtpërdrejtë – përfshijnë mundësitë që nuk mund të cilësohen të zbehta.
Nëse Putin do të përshkallëzonte gramatikisht veprimet e tij në Ukrainë, ai do ta bënte këtë me të ashtuquajturat bomba bërthamore taktike. Ato janë aktualisht në ruajtje, dhe fillimisht duhet të transportohen në bazat e lëshimit dhe më pas të montohen në raketa. Në këtë proces dhjetëra zyrtarë të ushtrisë do të duhej të nënshkruajnë dhe transmetojnë këtë urdhër, duke e ditur se agjencitë perëndimore të spiunazhit do t’i vëzhgonin në çdo hap. Mund të supozojmë se shumë nga këta zyrtarë do të jenë shumë të shqetësuar nga ky hap.
Ata mund ta kundërshtojnë nën zë luftën e Putinit kundër Ukrainës. Ata mund të mos duan të jenë bashkëpunëtorë në masakrat ndaj civilëve. Ata mund të kenë frikë nga një përshkallëzim i pakontrolluar që çon drejt një Apokalipsi bërthamor. Ose mund të jenë të vetëdijshëm se një mundësi për presidentin amerikan Joe Biden është të kundërpërgjigjet ndaj lëshimit të një rakete bërthamore ruse me një sulm ushtarak konvencional ku do të goditet edhe baza që lëshoi raketën.
Prandaj zbatimi i një urdhri të tillë mund të jetë vetëvrasje për rusët. Një potencial tjetër për mosbindje dhe rebelim po shfaqet në Bjellorusi, ku rusët po grumbullojnë sërish trupa për të kërcënuar hapjen e një fronti të ri kundër Ukrainës. Në një nga skenarët, diktatori i Minskut dhe miku i Moskës, Alexander Lukashenko, do të dërgonte forcat e tij për të luftuar përkrah rusëve dhe kundër ukrainasve.
“Unë jam e sigurt se ai do ta urdhëronte ushtrinë bjelloruse të marrë pjesë në këtë pushtim, por vetëm nëse do të ishte i sigurt se kjo e fundit do të luftonte”- thotë Sviatlana Tsikhanouskaya, liderja në mërgim e lëvizjes opozitare pro-demokratike të Bjellorusisë.
Por Lukashenko nuk është i sigurt për këtë. Si ai, ashtu edhe Putin, e cilësojnë të mundshme mosbindjen masive në radhët e bjellorusëve.
Pasi Lukashenko manipuloi sërish zgjedhjet e fundit presidenciale në vitin 2020, një numër i madh bjellorusësh dolën në rrugë për ta rrëzuar atë nga pushteti. Po ashtu ata mbajtën anën e fqinjëve të tyre ukrainas në prirjen drejt Bashkimit Evropian dhe lirisë. Lukashenko i shtypi me brutalitet.
Nëse sot ai do t’i urdhëronte trupat e tij të qëllonin mbi ukrainasit, ata thjesht mund të ndërrojnë anë dhe të qëllojnë kundër idiotëve të dobishëm të diktatorit të urryer. Ose mund të dezertojnë për të luftuar për Kievin. Historia është plot e përplot me precedentët e akteve të mosbindjes ushtarake, nga individë ose regjimente të tëra, të cilat kanë rezultuar vendimtare.
Gjatë Betejës së Lajpcigut në vitin 1813, i gjithë kontigjenti i Saksonëve që luftonin për Napoleonin u kthye papritur në anën e kundërt në fushën e betejës, duke u bashkuar me koalicionin kundër tij. Në marsin e vitit 1917, i pari nga dy revolucionet që ndodhën në Rusi atë vit, nisi seriozisht kur njësitë elitare të Gardës Perandorake iu bashkuan demonstruesve.
Sidomos në kontekstin bërthamor, edhe një individ i vetëm mund të bëjë diferencën. Stanislav Petrov ishte një oficer në detyrë në fillim të vitit 1983, kur kompjuterët e Bashkimit Sovjetik shfaqën në ekran disa raketa bërthamore që dukej sikur ishin lëshuar nga SHBA.
Ai kishte urdhër që të niste menjëherë sulmin hakmarrës. Por duke vepruar sipas parimit të paragjykimit të asaj që po shihe me sytë e tij – më vonë tha se i vendosi shanset në 50-50 – Petrov vendosi që alarmi ishte i gabuar. Për disa sekonda të tmerrshme, ai ia nguli sytë ekranit që kishte urdhrin “lëshim”.
Por nuk lëshoi asnjë raketë. Madje nuk ia raportoi alarmin as eprorëve të tij. Pra duke mos iu bindur, ai e shpëtoi botën. Ushtarakë të veçantë mund të marrin vendime të tilla gjatë gjithë kohës për shkak të ndërgjegjes së tyre, madje edhe kur nuk flitet për armët bërthamore. Në vitin 2011, dy kolonelë të Forcës Ajrore të Libisë u urdhëruan të bombardonin civilët në qytetin e Bengazit.
Por në vend të zbatimit të urdhrit nga Gadafi ata shkuan me avionët e tyre “Mirage F1” në Maltë, ku kërkuan azil politik. Dy ditë më vonë, piloti dhe bashkë-piloti i një avioni tjetër ushtarak morën të njëjtin urdhër.
Edhe ata e refuzuan urdhrin. Në një moment u hodhën më parashutë dhe e lanë avionin e tyre të rrëzohej. Tensioni midis bindjes së verbër dhe mosbindjes është po aq i vjetër sa lufta e organizuar. Udhëheqësit i druhen sfidës ndaj autoritetit, pasi kjo mund të çojë në një prishje të disiplinës, rendit dhe aftësisë për të luftuar.
Por bindja e verbër është më e keqe. Gjermanët që kryen Holokaustin, më vonë pretenduan se ata “po zbatonin vetëm urdhrat”. As gjyqtarët në gjyqin e Nurenbergut dhe as bota nuk e pranuan atë justifikim. Duke nxjerrë një mësim të drejtpërdrejtë nga ajo kohë, Gjermania e pasluftës mishëron mosbindjen në rrethana specifike si detyrë të një ushtari dhe jo si shpërfillje të disiplinës.
Rusët në epokën e Putinit duhet t’i bëjnë vetes pyetje të ngjashme me dilemat me të cilat u përballën gjermanët gjatë Rajhut të Tretë. Cili është roli i tyre në krimet e vendit të tyre?
Sa i lejuan vetes të dilnin mbi krimet? A do të ngrihen në këmbë kur të ketë rëndësi? A do të mos binden kur duhet? Ata që ngrihen – siç bëri dikur rusi Stanislav Petrov – mund ta shpëtojnë botën nga shfarosja.