Qeveria gjermane po përgatitet të ndalojë shitjen e një fabrike të çipave

Evropë

Qeveria gjermane po përgatitet të ndalojë shitjen e një fabrike të çipave

Më: 8 nëntor 2022 Në ora: 18:37
Foto ilustrim

Qeveria gjermane me siguri do të ndalojë shitjen e një fabrike çipash te një kompani suedeze që është pjesë e grupit kinez Sai, njoftoi pronari, një prodhues gjysmëpërçues për industrinë e automobilave me qendër në Dortmund.

Vendimi ndoshta do të merret në mbledhjen e kabinetit të mërkurën, njoftoi kompania gjermane.

Ministria e Ekonomisë po shqyrton shitjen dhe deri më tani ka sinjalizuar se ka gjasa ta miratojë.

"Pas marrjes së njoftimit, palët e përfshira do ta shqyrtojnë atë në detaje dhe më pas do të vendosin për hapat e mëtejshëm," njoftoi Elmos, duke mos dhënë arsyet e vendimit.

Elmos zhvillon, prodhon dhe shpërndan gjysmëpërçues kryesisht për industrinë e automobilave.

Në fund të vitit të kaluar, kompania me seli në Dortmund njoftoi se synon t'i shesë konkurrencës suedeze Silex, prodhimin e pllakave kristal për prodhimin e çipave, të ashtuquajturat vaferë, për një total prej rreth 85 milionë euro. Silex është një degë e grupit kinez Sai.

Qeveria gjermane miratoi së fundmi shitjen e 24.9 për qind të aksioneve në terminalin e portit të Hamburgut te kompania kineze e logjistikës COSCO, nga 35 për qind e planifikuar fillimisht për të kufizuar ndikimin kinez në biznes.

Kritikët e transaksioneve të tilla i frikësohen ndikimit kinez dhe përkrahësit theksojnë se COSCO zotëron aksione në disa porte evropiane, duke përfshirë Roterdamin, Antwerpenin dhe Pireun.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat