​Papa Françesku shtron drekën për 1300 të varfër

Evropë

​Papa Françesku shtron drekën për 1300 të varfër

Më: 13 nëntor 2022 Në ora: 23:39
​Papa Françesku

Papa Françesku përgatiti sot një drekë për 1300 të varfër dhe të pastrehë.

Françesku, i cili përdor një karrige me rrota dhe bastun për të lëvizur për shkak të gjurit, u ul me ta në sallën e madhe të audiencës së Vatikanit, ku u shërbyen nga kamerierë dhe kameriere vullnetare.

Mysafirët e Papës u sollën në Vatikan nga shoqatat bamirëse që i ndihmojnë çdo ditë.

Më parë, në një predikim në meshën e mbajtur në Bazilikën e Shën Pjetrit, ku shumë prej tyre u ulën në rreshtat e parë, ai u bëri thirrje njerëzve që kanë më shumë fat në jetë "të thyejnë shurdhimin e brendshëm që i pengon të dëgjojnë britmën e mbytur të dhimbjes së më të brishtëve në shoqëri”.

“Nëse zemra jonë është e mpirë dhe indiferente, ne nuk mund ta dëgjojmë britmën e tyre të dhimbjes, nuk mund të qajmë me ta dhe për ta, nuk mund të shohim se sa vetmi dhe ankth fshihen në qoshet e harruara të qyteteve tona”, tha Papa Françesku.

Dita e të varfërve u krijua në vitin 2016 për të tërhequr më shumë vëmendjen ndaj varfërisë, veçanërisht në vendet e pasura.

Famullitë dhe grupet katolike në mbarë botën organizojnë aksione për të ndihmuar të varfrit në komunitetet lokale në atë ditë.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat