Një marrëveshje për mbrojtjen e centralit bërthamor më të madh në Evropë mund të arrihet së shpejti, ka thënë mbikëqyrësi bërthamor i OKB-së.
Kreu i Agjencisë Ndërkombëtare të Energjisë Atomike (IAEA), Rafael Grossi, tha se marrëveshja është "pothuajse e arritur", raportojnë mediat e huaja.
"Më besoni, tani ne kemi një propozim në tryezë, i cili thjesht synon të ndalojë marrëzinë e bombardimit të termocentralit më të madh bërthamor në Evropë", tha ai.
Termocentrali bërthamor është aktualisht nën kontrollin rus dhe ka rënë nën granatimet e përsëritura, për të cilat Moska dhe Kievi kanë shkëmbyer fajin.
Ditën e djeshme, instituti i lidhur me Ushtrinë Britanike RUSI tha se dokumentet ruse të kapura zbuluan se Moska kishte planifikuar të pushtonte centralet bërthamore të Ukrainës me qëllimin e pjesshëm për të shantazhuar Perëndimin.
IAEA ka kërkuar që të krijohet një zonë sigurie rreth uzinës për të mbrojtur kundër një aksidenti të mundshëm bërthamor.
Më herët sot, agjencia ruse e lajmeve RIA tha se Moska kishte përshkruar pozicionin e saj për krijimin e një zone të tillë dhe ishte në pritje të një përgjigjeje.