Një person ka vdekur nga zjarri i madh që ka kapluar një qendër tregtare në periferi të Moskës.
Autoritetet kanë njoftuar se zjarri në dyqanin OBI, pjesë e qendrës tregtare MEGA në Khimki jashtë kryeqytetit rus, u ndez nga saldimi që me sa duket shkelte rregullat e sigurisë.
Zjarri i madh shpërtheu përpara se qendra tregtare të hapte dyert për klientët, duke përfshirë të gjithë ndërtesën prej 17 mijë metrash katrorë. Zjarri u lokalizua më vonë në një sipërfaqe prej 7 mijë metrash katrorë.
Shërbimet e urgjencës, hetuesit dhe ekspertët e mjekësisë ligjore po punojnë në vendngjarje.
Më shumë se 130 persona dhe 40 pajisje u përfshinë në shuarjen e zjarrit. Gjithashtu, ka nisur një hetim për shkelje të mundshme të rregullave të sigurisë.