Recesioni në Gjermani do të jetë më i butë se sa pritej, vlerësoi të mërkurën instituti i kërkimeve ekonomike Ifo, duke theksuar në parashikimet e fundit një rënie të lehtë të aktivitetit prej 0.1 për qind në vitin 2023, pas së cilës ekonomia pritet të rimëkëmbet.
Në parashikimet e mëparshme, instituti parashikoi një rënie prej 0.3 për qind të ekonomisë në vitin 2023.
Produkti i Brendshëm Bruto (PBB) do të ulet në dy tremujorë, pra në tremujorin e fundit të këtij viti dhe në tremujorin e parë të 2023, tha kreu i parashikimeve ekonomike në Ifo, Timo Wollmershäuser. Por pas kësaj, siç shtoi ai, situata do të përmirësohet sërish.
Dy tremujorë radhazi të rënies së aktivitetit do të nënkuptonin se ekonomia gjermane është teknikisht në recesion.
Rezultatet ekonomike në tremujorin e tretë në Gjermani ishin "shumë më të mira se sa pritej", me një normë rritjeje prej 0.4 për qind, vuri në dukje Wollmershäuser.
Instituti Ifo tani pret që rritja e ekonomisë më të madhe evropiane në vitin 2022 të arrijë në 1.8 për qind dhe do të jetë 0.2 pikë përqindjeje më e fortë se sa parashikohej në vjeshtë në parashikimet e mëparshme.
Subvencionet e qeverisë gjermane për të zbutur goditjen e çmimeve të larta të karburantit dhe energjisë elektrike ka të ngjarë të ndihmojnë në uljen e normës së inflacionit nga 7.8 për qind këtë vit në 6.4 për qind në vitin 2023, parashikon Instituti Gjerman.
Kjo përmirësoi ndjeshëm projeksionin e tyre të mëparshëm, sipas të cilit inflacioni duhet të vazhdojë të forcohet edhe vitin e ardhshëm dhe të arrijë në 9.3 për qind.
Instituti parashikon se gjatë muajve të dimrit inflacioni i lartë do të shkaktojë një rënie të të ardhurave reale të familjeve në Gjermani dhe do të zbehë aktivitetin ekonomik pasi qytetarët shpenzojnë më pak.
“Vetëm në gjysmën e dytë të vitit pritet që të ardhurat të rriten më shpejt se çmimet dhe për këtë arsye konsumi privat ndoshta do të rritet”, mendon instituti.
Instituti parashikon gjithashtu se rritja e punësimit në Gjermani do të ngecë gjatë semestrit të dimrit dhe pret që punëdhënësit të reduktojnë orët e punës duke rritur përkohësisht përdorimin e opsionit me kohë të pjesshme.
Në të njëjtën kohë, ata presin që shkalla e papunësisë të rritet nga 5.3 për qind këtë vit në 5.5 për qind në 2023.