Kancelari gjerman Olaf Scholz dënoi sot Iranin për përdorimin e dënimit me vdekje kundër protestuesve dhe i bëri thirrje Teheranit që të përmbahet nga ekzekutimet e mëtejshme.
“Me ekzekutimet, regjimi iranian po përdor dënimin me vdekje si një mjet shtypjeje”, shkroi Scholz në Twitter.
Ai shton se Irani duhet të përmbahet nga ekzekutimet e mëtejshme.
Zëdhënësi i Ministrisë së Jashtme gjermane, Christian Wagner, gjithashtu njoftoi sot se Gjermania dënon Iranin për përdorimin e dënimit me vdekje kundër protestuesve.
“Së bashku me partnerët tanë ndërkombëtarë, ne do të rrisim më tej presionin mbi regjimin iranian”, tha Wagner.
Ai shtoi se qëllimi i Gjermanisë është të harmonizojë paketën e katërt të sanksioneve kundër Iranit me vendet e tjera anëtare të Bashkimit Evropian në përgjigje të shtypjes së Teheranit ndaj protestuesve.
"Është e rëndësishme t'i tregojmë Iranit se ata do të paguajnë një çmim nëse vazhdojnë të sillen në këtë mënyrë," shtoi Wagner.
Ai përsëri i bëri thirrje Iranit që të përmbahet nga ekzekutimet e mëtejshme dhe të heqë dënimin me vdekje.
“Berlini u tmerrua nga ekzekutimet e Mohamed Mehdi Karami (22) dhe Seyed Mohamed Hosseini (39), duke e çuar numrin e protestuesve të ekzekutuar në katër”, tha Wagner në një konferencë të rregullt për shtyp.
Irani vari dy burra të shtunën për vrasjen e dyshuar të anëtarëve të forcave të sigurisë gjatë protestave që shpërthyen në të gjithë vendin si përgjigje ndaj vdekjes së Mahsa Amini, 22-vjeç, një vajzë kurde që vdiq pasi u arrestua nga policia morale e Iranit për veshje të pahijshme të hixhabit.