Franca kërkon që Bashkimi Evropian të miratojë një strategji industriale “Made in Europe” si përgjigje ndaj skemës amerikane të subvencionimit për investimet e gjelbra, në mënyrë që të parandalojë largimin e kompanive industriale nga Evropa dhe të reduktojë varësinë e anëtarëve të BE-së nga furnizuesit e jashtëm.
Udhëheqësit e BE-së do të diskutojnë politikën industriale në një samit të 9-10 shkurtit në Bruksel, të shqetësuar se Akti i Uashingtonit për lehtësimin e inflacionit prej 369 miliardë dollarësh për të subvencionuar produktet nga bateritë te makinat elektrike, panelet diellore dhe turbinat e erës, i tërheq kompanitë larg BE-së.
“Zbatimi i një politike industriale ambicioze dhe të fuqishme evropiane është pra thelbësore sot. Autoritetet franceze propozojnë që ajo të jetë në formën e një strategjie 'Made in Europe'", tha Franca në një dokument.
Udhëheqësit e BE-së ranë dakord marsin e kaluar, menjëherë pas sulmit të Rusisë ndaj Ukrainës që shkaktoi rritje të çmimeve të energjisë, se Evropa duhet të zvogëlojë varësinë e saj nga furnizuesit e huaj të energjisë, lëndëve të para kryesore, gjysmëpërçuesve, ilaçeve dhe ushqimit.
Propozimi francez kërkon futjen e masave emergjente, veçanërisht për të mbajtur kompani evropiane që merren me panele diellore, bateri, hidrogjeni dhe lëndët e para kryesore, duke vënë në dukje se strategjia "Made in Europe" duhet të bazohet në katër shtylla.
Shtylla e parë i referohet synimeve të BE-së për të reduktuar varësinë nga furnizuesit e jashtëm dhe vendosja e objektivave të prodhimit deri në vitin 2030 në krye sektorë që do të rregulloheshin me ligjet e BE-së.
E dyta do të ishte ndryshimi urgjent i rregullave të BE-së për ndihmën qeveritare për bizneset, e cila tashmë është e lejuar në kuadrin e pandemisë Covid-19, në mënyrë që të vazhdojë në sektorë të caktuar në baza të përkohshme.
Shtylla e tretë duhet të jetë financimi i sektorëve të ndjeshëm të BE-së dhe shtylla e fundit duhet të jetë mobilizimi i plotë i politikës tregtare, duke përfshirë instrumentet e mbrojtjes tregtare.