Mbi 3.000 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Evropë

Mbi 3.000 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Më: 6 shkurt 2023 Në ora: 06:46 Përditësuar në ora: 21:49 më 06.02.2023
Pamje nga tërmeti në Turqi

Mbi 3.000 viktima nga tërmetet në Turqi dhe Siri

Më shumë se 3.000 njerëz kanë humbur jetën në Turqi dhe Siri nga tërmeti i fuqishëm me magnitudë 7.8 ballësh të Rihterit, i cili i goditi të dyja vendet mëngjesin e hershëm të së hënës dhe lëkundjet tjera pas tij.

Qindra persona besohet se ende janë të ngujuar nën rrënoja dhe numri i viktimave pritet të rritet.

Punonjësit e shpëtimit po vazhdojnë kërkimet mes rrënojave nëpër qytete dhe në vendbanimet në të gjithë zonën.

Greqia ofron ndihmë për Turqinë pas tërmetit shkatërrues

Kryeministri grek Kyriakos Mitsotakis ka thënë se është shprehur i gatshëm të ofrojë ndihmë për Turqinë në një bisedë që pati sot me presidentin turk Rexhep Tajip Erdogan.

Mitsotakis tha se do të sigurojë “të gjithë ndihmën e mëtejshme të nevojshme” pas tërmeteve shkatërruese.

“Sapo fola me presidentin Erdogan.

Në emër të popullit grek, shpreha ngushëllimet e mia më të thella për humbjen shkatërruese të jetëve dhe ripërsërita gatishmërinë tonë për të ofruar të gjithë ndihmën e mëtejshme të nevojshme”, tha kryeministri grek në një postim në Twitter.

Një minutë heshtje në Asamblenë e Përgjithshme të OKB-së, për viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri

Një tërmet me fuqi shkatërruese goditi sot Turqinë dhe Sirinë, ku si pasojë humbën jetën mbi 2.400 persona.

E ekipet e shpëtimit janë duke bërë të pamundurën që të shpëtojnë qytetarët, që kanë mbetur të ngujuar nëpër rrënojat e ndërtesave të shembura.

Vlerësohet se vetëm në Turqi afro 3 mijë objekte janë shembur, kurse lagje të tëra janë bërë rrafsh me tokë.

Shumë liderë botërorë kanë shprehur gatishmërinë, që të dërgojnë ekipe për ta ndihmuar Turqinë për të kërkuar të mbijetuarit.

Në Asamblenë e Përgjithshme të Kombeve të Bashkuara, është mbajtur një minutë heshtje për të nderuar viktimat e tërmetit në Turqi dhe Siri.

Tërmeti vrasës thyen tubacionet e gazit natyror në jug të Turqisë

Përveç dëmeve masive në njerëz e banesa, tërmeti i sotëm në Turqi ka shkatërruar dhe infrastrukturë thelbësore të vendit.

Tundjet shkatërrimtare në jug të vendit kanë dëmtuar linjën e gazit natyror në rajon, konfirmonte grupi shtetëror energjitik BOTAS.

Ndërsa në video që qarkullojnë online shihen shtëllunga masive flakësh që ngrihen në ajër prej tubacioneve.

Zyrtarët turkë thonë se tërmeti me magnitudë 7.6 ka varë qindra njerëz dhe ka shkatërruar infrastrukturë civile e shtetërore.

BOTAS shtoi se ka ndërprerë furnizimet me gaz pas tërmetit, por thyerja në tubacionet e zonës Kilis po ushqehet nga gazi që gjendej brenda tyre.

Video që besohet se vijnë nga zona në fjalë tregojnë të paktën dy vendndodhje që kanë marrë flakë të mëdha.

Tërmeti shkatërrimtar goditi mëngjesin e sotëm në jug të Turqisë dhe veriun e Sirisë.

Rrëfimet e banorëve për tërmetin: “Menduam se ishte apokalipsi”

Banorët e disa prej qyteteve të goditura nga tërmetet e sotëm kanë përshkruar tronditjen dhe frikën e përjetimit të dy lëkundjeve kaq të mëdha radhazi.

Tulin Akkaya, e cila jeton në Dijarbakir, në  afërsi të vendit ku ranë tërmetet, tha se ajo ende po përpiqej të merrte veten pas tërmetit të parë kur goditi i dyti.

“Jam shumë e frikësuar. E ndjeva kaq fort sepse jetoj në katin e fundit,” i tha ajo agjencisë së lajmeve AFP.

“Ne dolëm jashtë në panik. Nuk mund të kthehem në banesën time tani – nuk e di se çfarë do të ndodhë më pas.”

Epiqendra e tërmetit të parë, me fuqi 7.8 ballë, ishte afër qytetit të Gaziantep, ndërsa ai i të dytit, me magnitudë 7.5, ishte në afërsi të provinces Kahramanmaras, raporton BBC, transmeton Klankosova.tv.

Melisa Salman, e cila është e vendosur në Kahramanmaras, tha se të jetuarit në një zonë tërmeti do të thotë se ishte mësuar të “tronditej”, por që sot ishte “hera e parë që ne kemi përjetuar ndonjëherë diçka të tillë”.

“Ne menduam se ishte apokalipsi,” tha ajo.

Halis Aktemur, një tjetër banor i Dijarbakirit, ishte ndër të parët që mbërriti në vendngjarje pas shembjes së ndërtesës së parë të madhe në qytet dhe iu bashkua të tjerëve që ndihmonin për të gërmuar për t’I nxjerrë të mbijetuarit nga rrënojat.

“Ne ia dolëm të shpëtonim tre persona, por dy ishin të vdekur,” tha ai. “Pas tërmetit të dytë, nuk mund të shkoj askund. Unë mendoj se ata do të kenë nevojë për ndihmën time përsëri”.

Tërmeti në Turqi dhe Siri, të paktën 2300 persona janë konfirmuar të vdekur

Numri i të vdekurve në Turqi nga tërmeti i mëngjesit të sotëm është rritur sërish në 1,498, sipas agjencisë së menaxhimit të fatkeqësive të vendit.

Numri i kombinuar i të vdekurve nga tërmeti fillestar në Turqi dhe Siri tani është në më shumë se 2,300 pasi 810 persona u konfirmuan të vdekur në Siri, raporton agjencia e lajmeve AFP.

1 mijë e 900 të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Numri i të vdekurve nga tërmeti i parë është rritur në 1 mijë e 121 në Turqi, sipas agjencisë së fatkeqësive të vendit.

Kjo e çon numrin e përgjithshëm të viktimave nga tërmetet në Turqi dhe Siri në më shumë se 1900, pasi shifrat e fundit nga Siria kanë vlerësuar se 783 persona janë konfirmuar të vdekur.

Numri i viktimave mund të rritet, ndërsa ekipet e shpëtimit kërkojnë të mbijetuarit, BBC.

Nuk raportohet nëse ka të vdekur nga tërmeti i dytë që ka ndodhur sot.

Ekipet e shpëtimit po punojnë nëpër rrënojat e ndërtesave të shembura për të gjetur të mbijetuarit, ndërsa NATO, BE dhe 45 vende kanë ofruar ndihmë pas katastrofës.

Mbi 1500 të vdekur nga tërmeti në Turqi dhe Siri

Të paktën 1 mijë e 504 persona kanë vdekur në Turqi dhe Siri dhe mijëra të tjerë janë lënduar, pas tërmetit të sotëm me magnitudë 7.8 ballë që ka goditur Turqinë jugore.

Në Siri, të paktën 592 njerëz kanë vdekur, duke përfshirë 371 kryesisht në rajonet e Aleppo, Hama, Latakia dhe Tartus, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve siriane SANA, e cila gjithashtu ka raportuar për 1,089 të lënduar.

Ndërkohë, grupi "Helmetat e Bardha", i njohur zyrtarisht si Mbrojtja Civile e Sirisë, ka raportuar gjithashtu për të paktën 221 vdekje dhe 419 të lënduar në zonat e kontrolluara nga opozita në veriperëndim të Sirisëm, shkruan CNN.

Në Turqi, të paktën 912 persona kanë vdekur dhe 5 mijëe 385 persona janë lënduar, ka thënë presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdoğan.

Ekipet e shpëtimit po punojnë nëpër rrënojat e ndërtesave të shembura për të gjetur të mbijetuarit, ndërsa NATO, BE dhe 45 vende kanë ofruar ndihmë pas katastrofës.

Tjetër lëkundje tërmeti e fuqishme në Turqi, magnituda 7.7

Turqia tronditet sërish nga lëkundjet.

Ndërsa vetëm pak minuta më parë, rreth orës 11:24, është shënuar një tjetër  tërmet 7.7 ballë i shkallës rihter.

Epiqendra ka qenë në Kahramanmaraşit, sipas të dhënave të Sizmologjisë Evropiane.

Detaje më të hollësishme nuk janë dhënë.

Mbi 1.300 viktima nga tërmeti i fuqishëm në Turqi dhe Siri

Presidenti i Turqisë, Recep Tayyip Erdogan, tha se numri i viktimave nga tërmeti i fuqishëm ka shkuar në 912, ndërkaq numri i përgjithshëm nga tërmeti që goditi edhe Sirinë, arrin në mbi 1.300 persona.

Tërmeti prej 7.8 shkallësh të Rihterit goditi të hënën juglindjen e Turqisë dhe veriun e Sirisë.

Autoritetet në Turqi dhe Siri kanë raportuar po ashtu për mijëra persona të plagosur.

Sipas autoriteteve të Turqisë, dhjetë qytete turke janë prekur nga tërmeti. Ato janë: Gaziantepi, Kahramanmarashi, Hatai, Osmanije, Adijamana, Malatia, Shanliurfa, Adana, Dijarbakiri dhe Kilisi.

Ministria e Shëndetësisë e Sirisë tha se 237 persona janë vrarë në provincat e kontrolluara nga Qeveria, në Alepo, Hama dhe Tartus, ndërkaq më shumë se 600 persona të tjerë janë plagosur.

Në Siri, sipas autoriteteve të atjeshme, nga tërmeti janë goditur provincat Alepo, Latakia, Hama dhe Tartus.

Turqia gjendet mbi një nga linjat më të mëdha sizmike dhe shpesh goditet nga tërmetet.

Epiqendra e tërmetit të së hënës ishte rreth 26 kilometra nga qyteti Nurdagi dhe rreth 33 kilometra larg qytetit Gaziantep, tha Shërbimi Gjeologjik amerikan.

Ka pasur edhe tërmete pasuese, përfshirë edhe një në shkallë prej 6.7 shkallësh të Rihterit.

Në të dy shtetet po zhvillohen operacione për të shpëtuar njerëzit e bllokuar nën rrënoja pas rrëzimit të ndërtesave. Në të dy anët e kufirit, banorët ishin në gjumë kur goditi tërmeti dhe ata dolën jashtë në mot të ftohtë, me borë dhe shi, teksa ndërtesat u rrëzuan.

Në banor i qytetit turk, Adana, tha se tri ndërtesa pranë shtëpisë së tij kolapsuan.

“Nuk kam fuqi më”, është dëgjuar të ketë thënë një prej të mbijetuarve, i bllokuar nën rrënoja, teksa ekipet e shpëtimit kanë bërë përpjekje që ta shpëtojnë, tha banori i Adanit, Muhammet Faith Yavus.

Në anën siriane të kufirit, tërmeti goditi rajonet e kontrolluara nga opozita, ku jetojnë afër 4 milionë të zhvendosur nga pjesë të tjera të Sirisë, për shkak të luftës civile në vend. Shumica prej tyre jetojnë në kushte të rënda dhe pa përkujdesje shëndetësore, teksa territoret ku gjenden ata janë të rrethuara nga forcat siriane.

Autoritetet turke thanë se pas tërmetit të parë të fuqishëm janë regjistruar edhe të paktën 20 lëkundje të tjera pasuese.

Bota ofron ndihmë për Turqinë dhe Sirinë

Pas tërmetit në Turqi dhe Siri, qeveritë dhe organizatat ndërkombëtare kanë ofruar ndihmë për këto dy shtete.

Komisionari evropian për Menaxhimin e Krizave, Janez Lenarcic, tha se Qendra për përgjigje dhe koordinim për emergjenca e BE-së është në kontakt me autoritetet turke për të aktivizuar shërbimin që u ndihmon ekipeve të shpëtimit në terren që ta kryejnë punën në mënyrë më efikase.

Rusia tha se dy avionë IL-76 dhe 100 pjesëtarë të ekipeve të shpëtimit janë të gatshëm të shkojnë në Turqi nëse është e nevojshme. Presidenti i Rusisë, Vladimir Putin, u ka dërguar mesazhe liderëve në Turqi dhe Siri, duke u ofruar ndihmë.

Ndërkaq, presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, po ashtu u shpreh i gatshëm të dërgojë ndihmë.

“Në këtë moment ne jemi afër me popullin mik të Turqisë dhe të gatshëm të ofrojmë ndihmën e nevojshme”, tha Zelensky.

Ndihmë me ekipe të zjarrfikësve dhe qen të shpëtimit premtoi Polonia, por edhe India.

Greqia tha se po mobilizon burimet e ndihmës që do të dërgohen shpejt në Turqi, ndërkaq Spanja pohoi se ekipet urbane të shpëtimit janë të gatshme të dërgohen menjëherë në zonat ku ka nevojë.

Izraeli tha se autoritetet janë duke bërë përgatitjet për të ofruar ndihmë mjekësore dhe të kërkim-shpëtimit, ndërkaq Tajvani ka ofruar një ekip prej 130 zjarrfikësish, por edhe të qenve kërkues dhe 13 tonë ndihma për Turqinë.

Edhe Kosova është shprehur e gatshme që të ofrojë mbështetje dhe ndihmë për Turqinë.

Turqia, ku ishte epiqendra e tërmetit, shpesh goditet nga tërmete të fuqishme.

Disa besojnë se ky ishte tërmeti më i madh që ka goditur Turqinë.

Sizmologu nga Longond College, Stephen Hicks, tha se edhe një tërmet prej 7.8 shkallësh kishte goditur Turqinë më 1939, duke vrarë 30.000 persona.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat