Zëdhënësi i Kremlinit, Dmitry Peskov ka hedhur poshtë akuzat e perëndimit se Vladimir Putin ishte i përfshirë drejtpërdrejt në rrëzimin e avonit të pasagjerëve MH17 në Ukrainën lindore në vitin 2014. Ai i komentoi këto akuza si shpifje dhe të pabaza. “Pretendimet se Putini ka vendosur të vendosë sistemin e armëve Buk në rajonin Donbas të Ukrainës lindore nuk kanë asnjë bazë”, u shpreh Peskov.
Boeing i “Malaysia Airlines” u rrëzua nga një raketë ruse e mbrojtjes ajrore Buk mbi territorin e kontestuar në korrik 2014. Të gjithë 298 personat në bord vdiqën. Një ekip ndërkombëtar hetuesish në Holandë u shpreh para pak ditësh se telefonatat e përgjuara tregojnë për rolin aktiv të Putinit në rrëzimin e aeroplanit.
"Rusia nuk mori pjesë në hetim në asnjë mënyrë. Prandaj, ne nuk mund t'i pranojmë rezultatet, veçanërisht pasi nuk u dhanë arsye për deklarata të tilla," tha Peskov.
Por sipas hetimeve ka qenë pikërisht Rusia ajo që ka refuzuar të bashkëpunonte. Megjithëse hetuesit nuk kanë prova të drejtpërdrejta që Putini pranoi të rrëzonte aeroplanin, kishte "indikacione të forta" se Putini vendosi t'u siguronte separatistëve pro-rusë raketën anti-ajrore Buk që rrëzoi avionin. Rusia mohon vazhdimisht çdo përfshirje në rrëzimin e aeroplanit të Boeing Malaysia Airlines.
Kryeprokurori Andriy Kostin bëri me dije se Ukraina nuk do të tërhiqet, do të përdorë të gjithë mekanizmat ligjorë ndërkombëtarë në një përpjekje për të sjellë Putinin para drejtësisë për rrëzimin e aeroplanit të MalaysiaAirlines. Edhe pse ka pasur indikacione të forta se vendimi ishte marrë nga Putin, hetuesit thanë se nuk kishte prova të mjaftueshme për ta ndjekur atë penalisht.