Tërmeti shkatërrues në Turqi, fshati ku banorët janë të detyruar të kujdesen vetë për veten

Evropë

Tërmeti shkatërrues në Turqi, fshati ku banorët janë të detyruar të kujdesen vetë për veten

Më: 13 shkurt 2023 Në ora: 20:47
Foto nga vendngjarja

Banorët e zonave rurale në Turqinë juglindore  po luftojnë për të kapërcyer pasojat e tërmetit vdekjeprurës me magnitudë 7.7 të shkallës Rihter që goditi Sirinë dhe Turqinë një javë më parë.

Polat, një fshat që ndodhet afërsisht 100 kilometra nga epiqendra e tërmetit, është pothuajse tërësisht i rrënuar.Shumë pak ndërtesa në rrugën kryesore të fshatit janë ende në këmbë, madje edhe ato që janë nuk mund të strehojnë më askënd sepse strukturat e tyre janë dëmtuar dhe mund të shemben nga momenti në moment.

Shumica e fshatarëve kanë mbetur të pastrehë dhe jo të gjithë kanë arritur të sigurojnë një tendë

Ndryshe nga qytetet më të mëdha, ndihma e qeverisë në Polat mbërriti me vonesë dhe banorët janë detyruar të kujdesen vetë për veten.Dogan Maral, një nga banorët e fshatit është shprehur se ata po flenë në makinën e fëmjëve të tyre.

“Ne do të sjellim lavastoviljen dhe lavatriçen në hambarin tonë, pastaj do të shohim se çfarë do të ndodhë. Fëmijët tanë janë këtu, ne flemë në makinën e tyre. Natën është -22 gradë Celsius. Ne do të përpiqemi të mbijetojmë deri në pranverë.”

Një tjetër rrëfim tronditës vjen nga një e moshuar e cila thotë se janë detyruar të flenë me disa familje të tjera në një zonë me baltë pasi nuk ka mjaftueshëm tenda.

“Ne flemë në baltë, të gjithë bashkë me tre apo katër familje të tjera. Në fshat nuk ka tenda mjaftueshëm dhe prandaj jemi të detyruar të jetojmë në këto kushte.”

Në fshatin Polat të Turqisë janë shënuar vetëm tri viktima si pasojë e tërmetit, por qytetarët vijojnë të jenë ende të shqetësuar. Një tjetër problem i tyre janë bagëtitë e ngordhura të cilat nuk po hiqen nga zona. Disa prej tyre shprehen se me shkrirjen e dëborës, ujërat mund të helmohen nga bakteret që lëshojnë kafshët e ngordhura

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat