Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki, e vizitoi të premten Kievin për ta shfaqur përkrahjen e vendit të tij për Ukrainën fqinje në luftën e saj kundër Rusisë, njoftoi zëdhënësi qeveritar, Piotr Muller.
Morawiecki dhe presidenti ukrainas vendosën lule në Murin e Kujtimit për ata që kanë vdekur për Ukrainën, thuhet në një deklaratë të Kryeministrisë së Polonisë, raporton agjencia "Reuters".
“Një vit pas fillimit të armiqësive ruse, kryeministri Morawiecki shkoi në Kiev për të dhënë një mesazh të qartë e të matshëm të përkrahjes së mëtejme për mbrojtjen e Ukrainës kundër Rusisë”- shkroi në rrjete sociale zëdhënësi polak.
“Menjëherë pas fillimit të luftës, më 15 mars (2022), ne ishim në Kiev për t’u siguruar që Ukraina nuk do të lihej e vetme”- shtoi ai.
Në ditët e fundit, Ukrainën e kanë vizituar edhe udhëheqës të tjerë, përfshirë presidentin amerikan, Joe Biden, kryeministren italiane, Giorgia Meloni, dhe kryeministrin spanjoll, Pedro Sanchez.