Lideri i partisë konservatore në pushtet të Polonisë Pravo i Pravda, Jaroslav Kaçinjiski paralajmëroi se nuk mund të ketë bisedime paqeje për sa kohë që Rusia pushton 20 % të territorit të Ukrainës si rrjedhojë vendosja e çdo kushti për Ukrainën do të thotë vetëm të ndihmosh Rusinë.
Rusia pushton 20 për qind të territorit të Ukrainës dhe ukrainasit nuk mund ta pranojnë një humbje të tillë.
Kthimi i territoreve është kusht për negociata të drejta. Sigurisht, do të ishte mirë që rusët thjesht të tërhiqeshin dhe pastaj të fillonin negociatat. Por ndoshta nuk mund të llogaritet në këtë dhe do të jetë e nevojshme që ato territore të kthehen me armë në dorë”, u shpreh Kaçinjiski në një intervistë për radion dhe televizionin shtetëror polak.
Kaçinjsiki, edhe pse aktualisht nuk mban asnjë post tjetër përveç kreut të partisë, vazhdon të ketë ndikim më të madh se kryeministri dhe presidenti i vendit. Më tej ai theksoi se është interesi kombëtar i Polonisë që Ukraina të mos mposhtet.
“Rënia e Ukrainës do të ishte një rrezik i madh për ne dhe në këtë drejtim, duhet bërë gjithçka për të parandaluar që ajo të mposhtet. Brenda kufijve të mundësive tona dhe sigurisht në bashkëpunim me aleatët tanë”, tha Kaçinjski.
Ndërsa në lidhje me fjalimin e presidentit amerikan Joe Biden pak kohë më parë gjatë vizitës së tij në këtë vend, ai u shpreh se presidenti i SHBA, në bisedimet me zyrtarë polakë, prezantoi një koncept interesant të një arkitekture të re të sigurisë në Evropën Lindore, ku Polonia luan një rol mjaft të rëndësishëm.