Mijëra njerëz kanë marrë pjesë në protesta dhe greva në Greqi, si një shfaqje zemërimi për përplasjen e trenave javën e kaluar, ku humbën jetën 57 persona.
Policia përdori gaz lotsjellës ndaj një grupi demonstruesish në Athinë – disa prej të cilëve hodhën bomba molotov.
Policia ka ndërhyrë edhe në protestat në qytetin e Selanikut, shkruan BBC.
Qeveria është akuzuar për keqmenaxhim pas përplasjes së një treni pasagjerësh dhe një treni mallrash më 28 shkurt.
“Unë jam këtu për të nderuar të vdekurit, por edhe për të shprehur zemërimin dhe zhgënjimin tim,” tha një protestues në Athinë për AFP të mërkurën. “Kjo qeveri duhet të iki”.
“Ju ndiheni të zemëruar sepse qeveria nuk bëri asgjë për të gjithë ata fëmijë,” i tha një tjetër Reuters, duke iu referuar faktit se shumë nga 350 personat në tren ishin studentë.
Kryeministri Kyriakos Mitsotakis, i cili po përballet me rizgjedhjen këtë vit, është nën presion në rritje për të dhënë dorëheqjen lidhur me aksidentin hekurudhor më vdekjeprurës në vend.
Ai dhe qeveria e tij është kritikuar për përpjekjen për të hedhur fajin për përplasjen te drejtuesi i stacionit, i cili është akuzuar për vrasje. Makinerët e trenave kanë thënë se i kanë thënë qeverisë për problemet e tjera me sistemet elektronike që supozohet të paralajmërojnë rreziqe të ardhshme.
Ministri i ri i transportit i Greqisë, George Gerapetritis, i cili u emërua pasi paraardhësi i tij dha dorëheqjen pas aksidentit, ka premtuar se qeveria do të rregullojë atë që ai e përshkroi si “sistemin e transportit të trenave me sëmundje kronike” të vendit. Ai premtoi se asnjë tren nuk do të nisej përsëri pa “siguri në nivelin maksimal të mundshëm”.