LIVE: Rusët po pësojnë ‘humbje të mëdha’, ky pritet të jetë kundërshtari i Putinit - ja si do ta sfidojë atë!

Evropë

LIVE: Rusët po pësojnë ‘humbje të mëdha’, ky pritet të jetë kundërshtari i Putinit - ja si do ta sfidojë atë!

Nga: Bota sot Më: 12 mars 2023 Në ora: 08:51 Përditësuar në ora: 19:27 më 12.03.2023
Vladimir Putin

Ukraina thotë se i ka vrarë Rusisë gati 1,100 trupa për 24 orë

Gati 1,100 trupa ruse janë vrarë në 24 orët e fundit, ka pohuar Ukraina.

Numri i të vdekurve nga të dyja palët ka qenë i lartë ditët e fundit, ndërsa beteja mbi qytetin e Bakhmutit vazhdon.

Sipas Ministrisë së Mbrojtjes të Ukrainës, 1,090 personel rus u vranë në 24 orët e fundit.

Që kur filloi konflikti më 24 shkurt, Ukraina thotë se ka vrarë 159,090 trupa ruse.

Shifrat që ka dhënë vendi për humbjet ruse janë më të larta se ato që vlerëson Perëndimi. 

Kishin planifikuar të destabilizonin Moldavinë përmes trazirave, komploteve dhe kërcënimeve me bomba, shkatërrohet rrjeti i mbështetur nga Rusia! Arrestohen 54 persona

Policia e Moldavisë ka shkatërruar një rrjet që përbëhej nga grupe të mbështetura nga Rusia, të trajnuar për të shkaktuar trazira gjatë një proteste kundër qeverisë.

Lajmin e kanë bërë të ditur mediat e huaja, sipas të cilave një agjent i fshehtë depërtoi në grupet e tyre, mes mes të cilëve kishte edhe shtetas rusë, të cilëve u ishin premtuar 10,000 dollarë për të krijuar “rrëmujë masive”, për të destabilizuar Moldavinë.

Këto të dhëna i bëri publike kreu i forcës policore të Moldavisë në një konferencë shtypi.

Viorel Cernauteanu tha se shtatë persona u arrestuan. Policia tha se 54 protestues u arrestuan dhe u regjistruan katër kërcënime me bombë.

Protesta e sotme ishte një nga seria e protestave të mbajtura kundër qeverisë së re properëndimore, e organizuar nga e ashtuquajtura Lëvizja për Popullin.

Grupi mbështetet nga Partia Shor, miqësore me Rusinë, e cila mban gjashtë vende në legjislaturën e Moldavisë dhe drejtohet nga një oligark i sanksionuar nga Mbretëria e Bashkuar.

Protestuesit kanë kërkuar që presidentja Maia Sandu të japë dorëheqjen, duke kërkuar që qeveria të paguajë për faturat e energjisë dimërore dhe që ata të mos e përfshijnë vendin në luftë.

Zyrtarët e inteligjencës amerikane paralajmëruan më parë se aktorët e mbështetur nga Rusia do të përdornin protestat për të nxitur një kryengritje në Moldavi.

Policia kufitare e Moldavisë tha gjithashtu se një “përfaqësuesi të mundshëm” të grupit paraushtarak të Rusisë, Wagner iu mohua hyrja në vend javën e fundit.

“Kemi vrarë më shumë se 200 ushtarë ukrainas në vetëm 24 orë”, Rusia: Vijojmë fuqishëm operacionet ushtarake në Donetsk

Ministria ruse e Mbrojtjes ka deklaruar ditën e sotme se forcat e saj vijojnë me operacionet ushtarake në rajonin lindor të Donetskut në Ukrainë, duke pretenduar se kanë vrarë më shumë se 220 ushtarakë ukrainas gjatë 24 orëve të fundit.

“Sa i përket Donetskut, më shumë se 220 ushtarakë ukrainas u vranë, një mjet luftarak këmbësorie, 3 automjete të blinduara luftarake, 7 automjete, si dhe një obus D-30 u shkatërruan gjatë ditës”, thuhet në njoftimin e ministrisë.

Megjithatë të dyja palët pretendojnë se kanë shkaktuar humbje të konsiderueshme dhe shifrat e sakta janë të vështira për t’u verifikuar.

Ukraina deklaroi mëngjesin e sotëm se më shumë se 500 trupa ruse ishin vrarë ose plagosur në një periudhë të fundit 24-orëshe, ndërsa luftonin për kontrollin e Bakhmutit.

“Bijtë tanë në front, pa trajnim dhe mjete”, gratë ruse protestë kundër Putinit: Po i dërgon si qengjat në thertore

Një grup i nënave dhe grave ruse kanë përcjellë një mesazh për presidentin Vladimir Putin.

Ata kanë kërkuar që lideri rus të mos i dërgojë më në front burrat dhe bijtë e tyre, thirrje kjo që vjen në një kohë që humbjet e ushtrive ruse në Ukrainë kanë qenë të mëdha.

Ato pretendojnë se personat që po dërgohen në front nuk kanë marrë asnjë trajnim paraprak apo mjetet e duhura ushtarake, çka po ndikon edhe në humbjet e mëdha të ushtrisë së Putinit.

Në një video të shpërndarë nga kanali i pavarur rus Telegram SOTA, gratë thanë se familjarët e tyre ishin “detyruar t’i bashkoheshin grupeve të sulmit” në fillim të marsit, pavarësisht se kishin kryer vetëm katër ditë stërvitje që nga mobilizimi i tyre në shtator.

“Burri im ndodhet në vijën e kontaktit me armikun. Njerëzit tanë po dërgohen si qengja në thertore për të sulmuar zonat e fortifikuara kundër armikut të armatosur rëndë. Ne kërkojmë që të tërhiqni djemtë tanë nga linja e sulmit dhe t’i siguroni ushtrisë mjete dhe municione”, ka deklaruar njëra prej tyre.

Lëvizja e Rusisë për të dërguar qindra mijëra për të luftuar në fushat e betejës së Ukrainës ka gjeneruar mospajtim dhe protestë dhe ka bërë që shumë rusë – në veçanti të rinjtë – të largohen nga vendi.

“Ne ikëm nga Rusia sepse duam të jetojmë. Kemi frikë se mund të na dërgojnë në Ukrainë”, tha më parë për CNN një shtetas rusë, i cili kërkoi të mos identifikohej për të mbrojtur familjarët e tij që kishin mbetur në Atdhe.

Udhëheq grupin e mercenarëve Wagner/ A “ia ka vënë syrin” Prigozhin karriges së Putinit?

Në vitet e fundit të Bashkimit Sovjetik, Yevgeny Prigozhin ka bërë burg për vjedhje. Sot udhëheq grupin më të fuqishëm mercenar të Rusisë, Wagner. Dhjetëra mijëra pjesëtarë të tij luftojnë për Rusinë në Ukrainë. Aktualisht, janë të përfshirë rëndë në një nga betejat më të përgjakshme për kapjen e Bahmutit – qytet në lindje të Ukrainës. Dhe Prigozhin raporton vazhdimisht për sukseset e luftëtarëve të tij në fushëbetejë.

“Dua t’i përgëzoj të gjithë djemtë që luftojnë, që janë në vijën e parë të frontit ose në spital; ushtarët që luftojnë për atdheun tonë dhe vullnetarët që punojnë në fabrika dhe prodhojnë municione”, ka thënë Prigozhin nga një zonë e Bahmutit.

Sipas Ministrisë britanike të Mbrojtjes, Wagner komandon 50.000 trupa në Ukrainë dhe është bërë një komponent kyç në këtë luftë. Sipas Këshillit të Sigurisë Kombëtare të SHBA-së, rreth 80% e luftëtarëve të tij janë të dënuar që janë nxjerrë nga burgjet. Vetë Prigozhin, një biznesmen i pasur, e portretizon veten si nacionalist të drejtpërdrejtë që përpiqet të mbrojë nderin dhe njerëzit e Rusisë.

Disa ekspertë i kanë thënë Radios Evropa e Lirë se ai ndihet i nevojshëm dhe i domosdoshëm për presidentin rus, Vladimir Putin, sidomos pas dështimit të ushtrisë ruse në disa beteja në Ukrainë.
Por, a e synon Prigozhin karrigen e Putinit në këmbim? Kështu së paku kanë aluduar dhe spekuluar disa media dhe vëzhgues. Në fund të janarit, gazetari rus, Mikhail Zygar, ka shkruar një opinion për gazetën amerikane New York Times, ku Prigozhinin e ka përshkruar si “konkurrent të rrezikshëm” të pushtetit të Putinit.

“Zoti Prigozhin mund ta sfidojë presidentin dhe zoti Putin mund të mos jetë më në gjendje ta kundërshtojë ish-kuzhinierin e tij”, ka shkruar Zygar.

Një tjetër artikull i publikuar në New York Times në muajin shkurt ka cituar disa analistë që besojnë se “Prigozhin mund të kthehet kundër Putinit”. Gazeta amerikane, Newsweek, ka cituar një ekspert të ketë thënë se Prigozhin, përfundimisht, do të ngrihet kundër liderit rus”.

Aktivisti opozitar rus, Mikhail Khodorkovsky, i cili jeton në mërgim, ka shkuar edhe më larg, duke spekuluar për një juntë ushtarake, që Prigozhin dhe kundërshtarë të tjerë të mundshëm të Putinit do të mund ta drejtonin.
Tani, është fakt që Prigozhin është bërë fytyra e luftës ruse në Ukrainë, sidomos për shkak të taktikave brutale të grupit të tij në fushëbetejë. Por, a përbën ai vërtet kërcënim për fuqinë e Putinit?

Rebekah Koffler, eksperte e inteligjencës amerikane dhe autore e librit “Doracaku i Putinit”, shpjegon për programin Expose të Radios Evropa e Lirë:

“Nuk besoj se Prigozhin është një konkurrent i rrezikshëm. Ju e dini se Putin e ka rrethuar veten me njerëz jashtëzakonisht besnikë. Këta njerëz, ish-operativët e inteligjencës, e mbrojnë Putinin. Ata, po ashtu, janë nën mbikëqyrje të vazhdueshme nga një sistem teknik i monitorimit i quajtur SORM”.

“Prigozhin, në anën tjetër, nuk është person presidencial. Ai ka qenë i dënuar, ka kaluar kohë në burg, ai mund të tregojë fuqi në rrugë, por nuk është burrështetas”, thotë Koffler.

Prigozhin, në disa raste, është përplasur me zyrtarë të Kremlinit. Në mosmarrëveshjen e fundit, ai ka thënë se ministri rus i Mbrojtjes, Sergei Shoigu, dhe shefi i shtabit të përgjithshëm të ushtrisë ruse, Valery Gerasimov, e kanë penguar dërgimin e municioneve për luftëtarët e Wagnerit, nga urrejtja personale që kanë për të. Prigozhin i ka akuzuar ata për tradhti.

Ai, po ashtu, ka thënë se Bahmuti do të ishte marrë nën kontroll të Rusisë qysh para Vitit të Ri, po të mos ishte “burokracia monstruoze ushtarake”.

Putin, i cili e ka lejuar Wagnerin të operojë, ka pranuar se te pala ruse ka rivalitete të brendshme dhe ka thënë se ato duhet të marrin fund. Në një fjalim drejtuar kombit, më 21 shkurt, ai ka thënë se “kontradiktat ndërinstitucionale, mëritë, keqkuptimet dhe marrëzitë tjera, duhet të hiqen qafe”.

Por, Kasia Kaczmarska, ligjëruese e marrëdhënieve ndërkombëtare në Universitetin e Edinburgut, vlerëson për Exposenë se Prigozhin i duhet Putinit. Sipas saj, është taktikë e presidentit rus që t’i lejojë përçarjet mes ushtrisë dhe mercenarëve, në mënyrë që askush prej tyre të mos forcohet së tepërmi. Kaczmarska thotë se pushteti i Putinit, tash për tash, është relativisht i sigurt.

Vladimir Putin ka mbështetje popullore pas vetes, ka media dhe makineri propaganduese pas vetes. Janë bërë përpjekje enorme për ta bërë atë aq të rëndësishëm dhe të mbështetur nga popullata ruse. Prigozhin, pa marrë parasysh se sa i fuqishëm është si biznesmen, sigurisht që nuk e ka atë lloj mbështetjeje”, thotë Kaczmarska.

Portali i pavarur rus, Meduza, ka shkruar se Prigozhin planifikon “të nisë një lëvizje patriotike dhe konservatore” që “do të mund të evoluojë në një parti politike” – gjë të cilën Prigozhin e ka mohuar publikisht.

Rebekah Koffler, e cila ka punuar edhe për disa shërbime të CIA-s, thotë se kërcënimi që vjen nga Prigozhini duket më shumë si i sajuar.

“Në bazë të analizave të mia të inteligjencës, Prigozhin nuk ka shanse të bëhet president i Rusisë, e as madje likuidues i madh. Putin do që ai vetë të shihet si likuiduesi kryesor në Rusi. Ai është spiun, operativ i KGB-së, është i pamëshirshëm. Ai nuk do të lejojë që dikush si Prigozhini ta marrë vëmendjen prej tij”, thotë Koffler.

Aktualisht, shton ajo, kolapsi i regjimit të Putinit është thjesht një dëshirë. Skena politike ruse, sipas saj, mbetet e hapur vetëm për aktorët që Putini i toleron. Kaczmarska, nga Universiteti i Edinburgut, pajtohet.

“Konkurrentët kryesorë të Putinit janë në burg. Putin e ka pranuar se [aktivisti opozitar] Aleksey Navalny është një konkurrent shumë serioz. Dhe, kjo është arsyeja përse ai ndodhet në burg”, thotë ajo.

Sipas një sondazhi të Institutit të Kërkimeve “Levada” në Moskë, të publikuar në muajin shkurt, Putin mbetet politikani më i besueshëm në Rusi. Sipas sondazhit, katër në pesë të anketuar e mbështesin atë. Kaczmarska beson se Putin mund ta tërheqë Prigozhinin nga skena dhe ta rikthejë kur të dojë vetë. Sipas saj, ekziston vetëm një skenar i mundshëm për fundin e regjimit të tij.

“Skenar i mundshëm është ai i Kazakistanit, sipas të cilit presidenti, fizikisht, nuk është në gjendje ta mbajë pushtetin dhe të mbetet në zyrë”, thotë Kaczmarska.

Putin, 70 vjeç, ka qenë politikani më i fuqishëm i Rusisë qëkur ka marrë presidencën në vitin 2000, pas dorëheqjes së paraardhësit të tij, Boris Yeltsin. Në vitin 2021, ai ka nënshkruar një ligj, që i mundëson të garojë edhe dy herë të tjera për president dhe, potencialisht, të mbetet në zyrë deri në vitin 2036.

Me Prigozhinin, ai ka së paku 20 vjet që njihet. Kompania e biznesmenit e ka furnizuar Kremlinin me ushqime dhe, për këtë arsye, Prigozhin ka marrë nofkën “kuzhinier i Putinit”.

Me ligjin rus, forcat mercenare janë ilegale, andaj grupi Wagner është regjistruar si kompani në vitin 2022 dhe ka hapur një seli të re në Shën Petersburg. Në janar të këtij viti, SHBA-ja e ka shpallur Wagnerin organizatë kriminale transkombëtare, për shkak të aktiviteteve në Ukrainë, por edhe në Lindje të Mesme dhe në Afrikë. Si Prigozhin, ashtu edhe grupi janë të sanksionuar nga Perëndimi.

Bashkëbiseduesit e Exposesë konkludojnë se çdo përpjekje e “kuzhinierit” për ta sfiduar drejtpërdrejt Putinin, do të dështojë. Prigozhin nuk do të donte të vetëvritej as në kuptimin politik, as të drejtpërdrejtë, thonë ato./REL

​Ushtarët rusë plaçkitin vegla dhe pajisje shtëpiake në Ukrainë

Në disa vendbanime të pushtuara përkohësisht në rajonin Kherson të Ukrainës, ushtarët rusë po plaçkitin vegla dhe pajisje shtëpiake, e pastaj po përpiqen t'u shesin civilëve në vendbanime të tjera.

Kështu thuhet në një njoftim të Ushtrisë së Ukrainës, ku theksohet se Rusia vazhdon të pësojë humbje. 

“11 marsi shënoi mbërritjen e rreth 30 trupave të pushtuesve të vdekur në morgun lokal Enerhodar. Në të njëjtën kohë, udhëheqja ushtarake ruse po merr masa për të rikuperuar humbjet në ushtrinë e saj. Vihet re motivimi i ulët dhe mosgatishmëria e përbërjes personale të armikut për të marrë pjesë në luftime”, thuhet në njoftim.

Aty theksohet se përpjekjet kryesore të Rusisë përqendrohen në kryerjen e veprimeve sulmuese në drejtimet Limansky, Bakhmutsky, Avdiivsky, Maryinsky dhe Shakhtar.

“Federata Ruse vazhdon të përdorë taktika terroriste, duke kryer granatimet pa dallim të vendbanimeve, duke shkelur rëndë standardet e së Drejtës Ndërkombëtare Humanitare. Gjatë kësaj dite, kundërshtari filloi një sulm me raketa në objektin e infrastrukturës civile të qytetit të rajonit Sloviansk Donetsk. Gjithashtu, armiku shkaktoi 4 goditje aviacioni dhe kreu rreth 20 granatime nga sistemet reaktivë të zjarrit valion. Niveli i kërcënimit raketor në të gjithë Ukrainën mbetet i lartë”, thuhet në njoftim.

Rusët, nga inati që po tërhiqeshin nga Kievi hodhën në erë helikopterin e tyre

Më 24 shkurt të vitit 2022, ushtria ruse ia kishte mësyrë Ukrainës, duke menduar se për pak ditë do të arrijnë ta marrin nën kontroll Kievin, por doli të jetë krejt ndryshe.

Tani që kur janë bërë më shumë se një vit, rusët nuk po arrijnë të marrin asnjë nga qytetet e mëdha në Ukrainë, madje çdo ditë e më shumë po pësojnë humbje si në makineri luftarake ashtu dhe në njerëz.

Pushtimi i Ukrainës ishte urdhëruar të ndodhë nga presidenti rus Vladimir Putin, i cili mendoi se do të jetë e lehtë marrja e kryeqytetit ukrainas, nga i cili u tërhoqën pa arritur të futen brenda tij.

Madje një video e publikuar nga aeroporti Gostomel apo ndryshe i njohur si aeroporti Antonov në periferi të Kievit, shfaq momentin kur rusët hedhin në erë helikopterin e tyre në pamundësi për ta ngritur në ajër nga frika se do ta godasin ukrainasit.

Kjo ndodhi derisa po tërhiqen, pasi ukrainasit filluan kundërofensivën që i detyroi të tërhiqen nga ai rajon. E kjo tërheqje i kushtoi shtrenjtë në pajisje luftarake, ku shumë fluturake dhe mjete të blinduara i braktisën për ta shpëtuar kokën.

Në videon e publikuar, rusët shihet sesi aktivizojnë lëndën shpërthyese me të cilën hedhin në erë helikopterin ushtarak, të cilin nuk patën guxim ta ngritin në ajër dhe të tërhiqen me të.

Nga inati se mund të përfundojë në duart e ukrainasve, vendosën ta shkatërrojnë duke bërë që të mos mbetet as edhe një copë nga fluturakja.

Ukraina ngre alarmin, zbardh planin e Rusisë

Shtabi i Përgjithshëm i Forcave të Armatosura të Ukrainës, ka bërë me dije se Ushtria e Ukrainës zmbrapsi mbi 92 sulme ruse në pesë zona gjatë ditës së djeshme.

Në raportimin e përditshëm, Shtabit të Përgjithshëm u shpreh se forcat ruse po përqendrojnë përpjekjet e tyre në kryerjen e ofensivave në drejtim të Lyman, Bakhmut, Avdiivka, Mariinka dhe Shakhtarsk në Donetsk Oblast.

“Gjatë 24 orëve të fundit, Rusia lëshoi pesë raketa, duke synuar qytetin e Zaporizhzhia, 12 sulme ajrore dhe 56 sulme MLRS kundër Ukrainës, duke synuar qytetin Kherson, sulm i cili rezultoi në viktima civile. Forcat Ajrore të Ukrainës kryen gjashtë sulme në baza të përkohshme ruse, ndërsa forcat e raketave dhe artilerisë ukrainase goditën katër baza të përkohshme ruse, një depo municionesh dhe dy stacione të luftës elektronike”, thuhet në njoftim.

Ushtria ukrainase paralajmëron për një kërcënim të vazhdueshëm të lartë të sulmeve me raketa në të gjithë Ukrainën.

Ukraina gati për kundërsulm në Bakhmut

Një komandant i lartë ukrainas ka thënë se mbrojtja e vazhdueshme e forcave të tij ndaj Bakhmutit përballë sulmeve të ashpra dhe të qëndrueshme ruse ishte e nevojshme për të “blerë kohë” për një kundërsulm të planifikuar, përcjell Bota sot.

“Heronjtë e vërtetë tani janë mbrojtësit që po mbajnë mbi supe frontin lindor dhe po shkaktojnë humbjet më të rënda të mundshme, duke mos kursyer as veten dhe as armikun”, tha komandanti i forcave tokësore të Ukrainës, Oleksandr Syrsky.

Irani do të blejë avionë luftarakë nga Rusia

Irani ka rënë dakord të blejë avionë luftarakë Su-35 nga Rusia në një zgjerim të marrëdhënieve midis dy kombeve, përcjell Bota sot.

Marrëveshja, e shpallur nga media shtetërore iraniane të shtunën, vjen pasi Irani ka furnizuar Moskën me dronë kamikaze për përdorim në Ukrainë.

"Aeroplanët luftarakë Sukhoi-35 janë teknikisht të pranueshëm për Iranin dhe Irani ka finalizuar një kontratë për blerjen e tyre," tha transmetuesi shtetëror IRIB.

Su-35 është një avion luftarak me shumë funksione i debutuar për herë të parë në Bashkimin Sovjetik në 1988.

Transmetuesi gjithashtu raportoi se Irani kishte kërkuar gjithashtu blerjen e avionëve ushtarakë nga disa vende të tjera të paidentifikuara.

Një mori dronësh Shahed-136 të prodhuar nga Irani janë përdorur nga Rusia për të synuar furnizimin me energji të Ukrainës dhe efektiviteti i tyre për një kohë të vitit të kaluar ka bërë që ushtritë në mbarë botën të rivlerësojnë aftësitë e tyre të mbrojtjes me dron.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat