Kina nuk është në gjendje të ndërmjetësojë midis Ukrainës dhe Rusisë, sepse "nuk bën dallim midis agresorit dhe viktimës", tha kryediplomati i Bashkimit Evropian.
Por, Josep Borrell tha se Kina duhet të përdorë ndikimin e saj mbi Rusinë për të bërë presion për paqe, raporton Sky News, përcjell Bota sot.
Komentet e tij pasojnë thirrjet e bëra nga kryeministri spanjoll për presidentin Xi Jinping që të pranojë ftesën e Volodymyr Zelenksyt në Kiev dhe të angazhohet në bisedime mbi planin e paqes të liderit ukrainas.
Borrell i tha një paneli në Madrid se plani i Zelenskyt ishte i vetmi në tryezë. Ai do të shohë Ukrainën të rikthehet në kufijtë e saj të para vitit 2014, përpara se Rusia të aneksonte Krimenë.
Pekini paraqiti planin e tij të paqes muajin e kaluar dhe bëri thirrje për një armëpushim, por SHBA e sheh çdo armëpushim si një mundësi për Rusinë që të rigrupojë trupat e saj.