Hetuesit rusë kanë arrestuar një grua që dyshohet se vrau një bloger të njohur ushtarak në Moskë, i cili përkrahte luftën kundër Ukrainës. Ajo ishte shpallur në kërkim nga Policia ruse.
Zyrtarët rusë thanë se Vladlen Tatarsky, 40-vjeçar, u vra të dielën teksa po drejtonte një diskutim në një lokal në brigjet e lumit Neva në Shën Petersburg. Si pasojë, mbi 30 persona u plagosën nga shpërthimi i bombës dhe 10 prej tyre u lënduan rëndë.
Raportet ruse të lajmeve thanë se bomba ishte fshehur në gjoks të blogerit që i dyshuari ia kishte dhënë atij si dhuratë pak para shpërthimit.
Ministria e Brendshme ruse e identifikoi të dyshuarën si Darya Tryopova, 26-vjeçare, banore në Shën Petersburg, e cila ishte arrestuar më parë për pjesëmarrje në protestat kundër luftës. Agjencia e lajmeve Interfax raportoi arrestimin e saj të dielën vonë, por më vonë tha se ajo ishte në arrati, ndërsa nëna dhe motra e saj u thirrën për t'u marrë në pyetje.
Ministria e Brendshme e shpalli atë në kërkim të hënën.
Autoritetet ruse thonë se po hetojnë sulmin në qendër të qytetit të dytë më të madh të Rusisë si një "vrasje e profilit të lartë".
Askush nuk e mori publikisht përgjegjësinë, por blogerët ushtarakë dhe komentuesit fajësuan menjëherë Ukrainën për sulmin, dhe e krahasuan shpërthimin me vrasjen e gushtit të kaluar të komentatores televizive nacionaliste, Darya Dugina, e cila vdiq pas shpërthimit të makinës së saj në periferi të Moskës.
Autoritetet ruse fajësuan inteligjencën ushtarake të Ukrainës për vdekjen e saj, por Kievi mohoi përfshirjen.
Babai i Darya Dugina, Alexander, një filozof nacionalist dhe teoricien politik që mbështet fuqishëm pushtimin e Ukrainës - i konsideruar "ideologu i Putinit – tha se Tatarsky është një hero "i pavdekshëm" që vdiq për të shpëtuar popullin rus.
Zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse, Maria Zakharova, tha se aktivitetet e Vladlen Tatarskyt kanë bërë që ai të “fitojë urrejtjen e regjimit të Kievit" dhe shtoi se ai dhe blogerët e tjerë ushtarakë rusë janë përballur prej kohësh me kërcënime ukrainase.