Banorët e Parisit kanë votuar për ndalimin e skuterëve elektrikë me qira në kryeqytetin francez.
Pothuajse 90 për qind e atyre që dolën të dielën në një referendum të organizuar nga zyra e kryebashkiakut të Parisit votuan për ndalimin e skuterëve elektrikë me qira, shkruan CNN.
Pjesëmarrja ishte shumë e ulët, megjithatë, me vetëm 7.46 për qind të votuesve të regjistruar që hodhën votën e tyre në një nga 203 qendrat e votimit të hapura për këtë rast.
“Më 1 shtator, nuk do të ketë më skuterë me qira në Paris. … Kjo është një fitore për demokracinë lokale,” tha kryebashkiaku i Parisit, Anne Hidalgo, në një konferencë shtypi gjatë fundjavës.
Ndalimi do të hyjë në fuqi në fund të gushtit, kur skadojnë kontratat e operatorëve të skuterëve të qytetit.