Serbia me sa duket pranoi, ta furnizonte Ukrainën me armë?

Evropë

Serbia me sa duket pranoi, ta furnizonte Ukrainën me armë?

Nga: Sherif Ramabaja Më: 12 prill 2023 Në ora: 12:55
Aleksandar Vuçiq

Serbia tradicionalisht ka qenë afër Rusisë. Tani një dokument sekret amerikan po e fut vendin në telashe. Me sa duket, ajo ra dakord për dërgimin e armëve në Kiev. Moska është e indinjuar.

Serbia, megjithë kundërshtimin e saj ndaj sanksioneve kundër Rusisë, duket se ka dërguar armë në Ukrainë, ose të paktën ka rënë dakord ta bëjë këtë. Kështu kjo u bë e ditur, sipas një dokumenti konfidencial të Departamentit të Mbrojtjes të SHBA. Kjo vjen nga një përmbledhje e përgjigjeve të qeverive evropiane ndaj kërkesave të Ukrainës, për trajnime ushtarake dhe armë. Letra është në mesin e dhjetëra dokumenteve të klasifikuara dhe të zbuluara në internet javët e fundit, nga rrjedhja e të dhënave sekrete nga qeveria amerikane në ditët e fundit.

Informacioni për Serbinë është politikisht shpërthyes, sepse qeveria në Beograd ka mbajtur tradicionalisht marrëdhënie të ngushta me Rusinë dhe, pavarësisht procesit të anëtarësimit në BE, nuk po merr pjesë në sanksionet e vendosura për sulmin ndaj Ukrainës. Lista tregon se Serbia refuzoi të stërvitte forcat e armatosura të Ukrainës, por pranoi të furnizonte armë. Gjithashtu u tha se Serbia ka vullnet politik dhe aftësi ushtarake për të furnizuar Ukrainën me armë në të ardhmen.

Dokumenti është shënuar sekret, i cili ndalon zbulimin e shërbimeve të huaja të inteligjencës dhe ushtrisë. Ai mban datën 2 mars dhe mban vulën e Zyrës së Shefave të Shtabit të SHBA. Autenticiteti i dokumentit ende nuk është përcaktuar në mënyrë të pavarur. Zyra e presidentit serb Aleksandar Vuçiq dhe ambasada e Ukrainës nuk iu përgjigjën një kërkese për ta komentuar rastin.

Rusia reagoi me zemërim. Qeveria në Moskë i kërkoi Serbisë në mars një shpjegim zyrtar për dërgesat e supozuara, tha zëdhënësja e Ministrisë së Jashtme ruse Maria Zakharova, sipas agjencisë shtetërore të lajmeve TASS.

Janusz Bugajski, ekspert i Evropës Lindore në institutin e politikës së jashtme të Fondacionit Jamestown, tha: "Nëse ky dokument është i saktë, ai ose tregon dyfytyrësinë e Vuçiqit ndaj Rusisë, ose ai është nën presion të madh nga Uashingtoni për të furnizuar Ukrainën me armë."/ Burimi: ntv.de, lar/rts, Nga Gjermanishtja Sh. Ramabaja

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat