Parlamenti i ri bullgar mbajti seancën inauguruese të mërkurën. Parlamenti u zgjodh në zgjedhjet e parakohshme të 2 prillit që dërguan në legjislativ pesë grupe politike: GERB-UDF me 69 deputetë, “Vazhdoni ndryshimin - Bullgaria Demokratike” (CC-DB) me 64, “Vazrazhdane” me 37, “Lëvizja për të Drejta dhe Liri” ( MRF) 36, “BSP e socialistëve për Bullgarinë” 23, dhe “Ka një popull të tillë” me 11.
Në një procedurë që i ngjante ditëve të para të Parlamentit të mëparshëm, deputetët e rinj nuk arritën të zgjidhnin një kryetar Kuvendi që ditën e parë.
Deputetëve të rinj iu drejtua presidenti Rumen Radev i cili u kërkoi atyre të tregojnë përulësi dhe arsye të shëndoshë dhe të përdorin dialogun. Ai po ashtu u tha atyre se përballen me një sërë sfidash serioze, ndër të cilat më e rëndësishmja është miratimi i projektligjit të buxhetit për vitin 2023.
Në fjalimet e tyre drejtuar legjislaturës së re, partitë politike listuan ato që ata besojnë se janë "problemet e vërteta" të popullit bullgar - dhe bënë thirrje për dialog.
Dessislava Atanassova nga GERB-UDF theksoi se me votat e tyre njerëzit treguan qartë se kriza politike nuk mund të zgjidhet vetëm nga një parti apo koalicion i vetëm dhe se e vetmja rrugëdalje nga situata aktuale është një marrëveshje e të gjitha palëve për çështjet e rëndësishme dhe për rivendosjen e dialogut politik.
Duke folur në emër të partisë “Vazhdo ndryshimin – Bullgaria Demokratike”, Kiril Petkov renditi tetë prioritete, duke përfshirë mbështetjen për fermat e vogla dhe të mesme, hyrjen në Shengen dhe eurozonë, ndërtimin e infrastrukturës, miratimin e legjislacionit kundër dhunës në familje. Ai tha se do të punojnë në ato në mënyrë konstruktive me qeverinë e re, nëse GERB-UDF arrijnë të formojnë një të tillë. Nëse dështojnë, CC-DB do të propozojë një qeveri të tyren.
Kryetari i “Vazrazhdane”, Kostandin Kostadinov veçoi pesë prioritete, duke përfshirë "ruajtjen e pavarësisë financiare", qëndrimin larg luftës në Ukrainë, rinegocimin e marrëdhënieve me BE dhe tha se ata janë të gatshëm t'i diskutojnë ato me të gjitha grupet politike në Parlament. Ai tha gjithashtu se ata nuk do të mbështesin asnjë qeveri tjetër përveç asaj të tyre.
Mustafa Karadayi nga partia “Lëvizja për të Drejta dhe Liri”, ashtu si GERB, tha se votuesit treguan, përsëri, se asnjë parti politike nuk ka të drejtë të drejtojë vendin më vete dhe se politikanët duhet të ulen në tryezën e bisedimeve dhe të fillojnë të flasin me njëri-tjetrin.
Liderja socialiste Kornelia Ninova tha se legjislatura e re ka disa detyra të rëndësishme dhe më e rëndësishmja prej tyre është miratimi i një buxheti të ri për vitin 2023. Ajo tha se grupi i saj nuk do të mbështesë një buxhet që rrit taksat, ngrin të ardhurat dhe shkurton pagesat sociale.
Ivajlo Valçev nga partia “Ka një popull të tillë” tha se prioritetet e partisë së tij janë hyrja e shpejtë në Shengen, përfundimi i përgatitjes për hyrjen në eurozonë dhe miratimi i projekt-ligjeve që nevojiten që Plani i Rimëkëmbjes dhe Rezistencës të fillojë të funksionojë në Bullgari.