LIVE: BE “godet” fuqishëm Wagnerin; Gjermania jep lajmin e mirë për Ukrainën – ky është vendimi i fundit

Evropë

LIVE: BE “godet” fuqishëm Wagnerin; Gjermania jep lajmin e mirë për Ukrainën – ky është vendimi i fundit

Më: 13 prill 2023 Në ora: 18:40 Përditësuar në ora: 21:39 më 13.04.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

BE sanksionon Wagnerin për luftën në Ukrainë

Bashkimi Evropian bëri të ditur të enjten se grupi mercenar rus Wagner është futur në listën evropiane të sanksioneve për “pjesëmarrje aktive në luftën e agresionit rus kundër Ukrainës”.

Wagner, që po udhëheq betejat ruse në përpjekjet për t’i pushtuar qytetet ukrainase Bahmut dhe Soledar, ishte vendosur në shkurt në një listë tjetër sanksionesh të BE-së për shkelje të të drejtave të njeriut dhe “destabilizimin” e vendeve në Afrikë.

Këshilli Evropian, që përfaqëson 27 vendet anëtare të BE-së, tha se lista e sanksioneve të reja e “kompleton” atë të mëparshmen, raportoi Radio Evropa e Lirë.

BE-ja shtoi se Wagner u shtua edhe një herë në listë “për veprime që minojnë ose kërcënojnë integritetin territorial, sovranitetin dhe pavarësinë e Ukrainës”.

Fakti që Wagner është listuar dy herë “nënvizon dimensionin ndërkombëtar dhe peshën e aktiviteteve të këtij grupi, si dhe ndikimin e tij destabilizues në vendet ku ai është aktiv”, thuhet në deklaratën e Këshillit.

Në listën evropiane të sanksioneve u shtua edhe RIA FAN, një media ruse që është pjesë e grupit Patriot Media Group, bordi i së cilës drejtohet nga Yevgeny Prigozhin, shefi i Wagnerit.

Një organizatë joqeveritare ruse dhe një dezertor i Wagnerit kanë pretenduar se luftëtarët e Wagnerit ishin përgjegjës për incidentin e prerjes së kokës të një të burgosuri lufte ukrainas që duket në një video që ka tërhequr vëmendjen e Ukrainës dhe zyrtarëve të OKB-së.

Prigozhin i mohoi akuzat të enjten. Rusia tha se ka hapur një hetim lidhur me këto pamje.

BE-ja ka miratuar dhjetë pako të njëpasnjëshme sanksionesh kundër Rusisë gjatë vitit të kaluar pas pushtimit të paprovokuar të Ukrainës.

Gjermania lejon Poloninë t’ia dërgojë Ukrainës avionët e vjetër luftarakë

Gjermania e ka miratuar kërkesën e Polonisë për t’i eksportuar pesë avionë të vjetër luftarakë të llojit MiG-29, për ta forcuar fuqinë ajrore të Ukrainës kundër pushtimit rus. Këtë lajm e konfirmoi të enjten Ministria gjermane e Mbrojtjes.

Ministria e Mbrojtjes e Polonisë nuk i është përgjigjur pyetjeve të agjencisë së lajmeve Reuters lidhur me këtë temë deri në momentin e publikimit të artikullit.

Ministri gjerman i Mbrojtjes, Boris Pistorius, tha se kërkesa kishte mbërritur të enjten dhe se miratimi i kërkesës në po të njëjtën ditë nga Berlini tregon se të tjerët mund të mbështeten në Gjermaninë.

Gjermania i trashëgoi 24 avionë të llojit MiG-29 nga ish-Gjermania Lindore pas ribashkimit në vitin 1990. Në atë kohë, ky lloj i avionit cilësohej si njëri ndër avionët luftarakë më të avancuar në botë.

Në vitin 2004, Berlini ia dërgoi 22 avionë të tillë Polonisë. Nga dy avionët e mbetur në ushtrinë gjermane, një u shkatërrua gjatë një përplasjeje dhe një është në një ekspozitë në një muze.

Polonisë i nevojitet paraprakisht miratimi nga Berlini zyrtar për t’i dërguar këta avionë në një vend tjetër.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelensky, tha gjatë një vizite në Varshavë javën e kaluar se Polonia do të ndihmojë në formimin e një koalicioni të fuqive perëndimore për ta furnizuar Ukrainën me avionë luftarakë.

Ukraina, e cila shpreson të nisë një kundërofensivë ndaj forcave ruse gjatë javëve apo muajve të ardhshëm, dëshiron të sigurojë avionë luftarakë për t'u mbrojtur nga sulmet ajrore.

Vendet perëndimore deri më tani kanë hezituar të dërgojnë avionë luftarakë të avancuar si F-16 në Kiev, por disa vende kanë vendosur të dërgojnë avionë të vjetër MiG-29, të cilët Ukraina është tashmë duke i përdorur.

Hungaria largohet nga banka që e kontrollon Rusia, pas sanksioneve të SHBA-së

Hungaria ka vendosur të largohet nga një bankë investimi të kontrolluar nga Rusia, duke tërhequr anëtarësinë një ditë pasi Shtetet e Bashkuara të Amerikës vendosën sanksione ndaj këtij institucioni financiar me seli në Budapest.

Vendimi, i shpallur të enjten nga Ministria hungareze e Zhvillimit Ekonomik, erdhi pas vendimit të së mërkurës të Departamentit të Thesarit të SHBA-së për të vendosur sanksione ndaj Bankës Ndërkombëtare të Investimeve, e cila zhvendosi selinë e saj nga Moska në kryeqytetin e Hungarisë në vitin 2019.

Në një deklaratë të së enjtes, 13 prill, Ministria tha se “edhe pse Banka Ndërkombëtare e Investimeve ka luajtur një rol të rëndësishëm për zhvillim në Evropën Qendrore dhe Lindore, sanksionet e SHBA-së i kanë bërë të pakuptimta operacionet e bankës”.

“Prandaj, qeveria tërheq delegatët e qeverisë hungareze në Bankën Ndërkombëtare të Investimeve dhe tërhiqet nga institucioni financiar ndërkombëtar”, thuhet në atë deklaratë.

Pjesëmarrja e Hungarisë në këtë bankë dhe gatishmëria e qeverisë hungareze për të mbajtur selinë e saj në Budapest kishin zhgënjyer zyrtarët amerikanë në administratën e presidentit amerikan Joe Biden dhe ish-presidentit Donald Trump, të cilët argumentuan se ajo mund të shërbente si një kanal për spiunazhin rus brenda Bashkimit Evropian dhe NATO-s.

Pas shpalljes së sanksioneve të SHBA-së të mërkurën, në një deklaratë të Departamentit amerikan të Thesarit thuhej se banka i mundëson Rusisë “ta rrisë praninë e saj të inteligjencës në Evropë, hap derën për aktivitetet e ndikimit keqdashës të Kremlinit në Evropën Qendrore dhe në Ballkanin Perëndimor dhe mund të shërbejë si një mekanizëm për korrupsion dhe financim të paligjshëm, përfshirë këtu shkelje të sanksioneve”.

Në një konferencë shtypi të mbajtur në Budapest pas shpalljes së sanksioneve, ambasadori i SHBA-së në Hungari, David Pressman, tha se qeveria e Hungarisë i kishte injoruar thirrjet e shumta të SHBA-së për t’i tërhequr aksionet e saj në bankë.

“Prania e kësaj platforme të errët të Kremlinit në zemër të Hungarisë kërcënon sigurinë dhe sovranitetin e popullit hungarez, fqinjëve të tyre evropianë dhe aleatëve të tyre në NATO”, tha Pressman.

Tre drejtues aktualë apo ish-drejtues të bankës – shtetasit rusë, Nikolay Nikolayevich Kosov dhe Georgy Nugzarovich Potapov, si dhe shtetasi hungarez Imre Laszloczki – u sanksionuan si pjesë e një pakoje më të gjerë që ka cak rrjetet financiare të dy prej biznesmenëve më të pasur të Moskës që njihen si aleatë të ngushtë të presidentit rus, Vladimir Putin.

Edhe disa vende të tjera anëtare të BE-së – Bullgaria, Republika Çeke, Sllovakia dhe Rumania – ishin më parë anëtarë të bankës të investimeve, që u themelua në Bashkimin Sovjetik në vitin 1970. Por, të katër ato vende tërhoqën anëtarësimin e tyre pasi Rusia nisi pushtimin e Ukrainës, duke e lënë Hungarinë si anëtaren e vetme të BE-së në këtë bankë.

Banka Ndërkombëtare e Investimeve nuk i është përgjigjur pyetjeve të agjencisë së lajmeve AP lidhur me këtë çështje.

Forcat speciale të huaja po ndihmojnë nga brenda Ukrainën për të shkatërruar rusët

Dokumentet sekrete amerikane, të bëra publike së fundmi, më shumë se gjithçka duket se kanë nxjerrë zbuluar Perëndimin dhe ndikimin në luftën në Ukrainë. Dosjet e Pentagonit që dolën më 23 mars, treguan se një numër i madh forcave speciale ushtarake nga vendet perëndimore po operojnë brenda Ukrainës. Sipas dokumenteve të zbuluara, Mbretëria e Bashkuar ka kontigjentin më të madh të forcave speciale në Ukrainë (50), e ndjekur nga anëtarët e NATO-s Letonia (17), Franca (15), Shtetet e Bashkuara (14) dhe Holanda (1). “Ky zbulim konfirmon atë që shumë kanë spekuluar që nga fillimi i luftës në shkurt të vitit të kaluar”, shkruan BBC. Informacioni për praninë e forcave speciale në Ukrainë me siguri do të përdoret nga Moska, e cila muajt e fundit ka pohuar se nuk është në konflikt vetëm me Ukrainën, por edhe me NATO-n.

Reagimi i Perëndimit

Ministria e Mbrojtjes e Mbretërisë së Bashkuar nuk komentoi informacionin sekret që u zbulua, por shkroi një njoftim në profilin e saj në Twitter të martën se rrjedhja e informacionit të klasifikuar tregonte një "nivel serioz pasaktësie". Megjithëse numri i anëtarëve të Forcave Speciale të listuara në dokumentet e Pentagonit është në fakt relativisht i vogël, ata duket se janë shumë efektivë në operacionet e tyre në Ukrainë. Qeveria britanike ka një numër njësish elitare që konsiderohen si ndër më të mirat në botë. Ministri spanjoll mohoi gjithashtu praninë e forcave të NATO-s në Ukrainë.

Sekretari amerikan i Mbrojtjes, Lloyd Austin tha se Departamenti i Drejtësisë kishte hapur një hetim penal dhe ishte i vendosur për të gjetur burimin e rrjedhjes. "Ne do të vazhdojmë të hetojmë dhe të lëvizim çdo gur derisa të gjejmë burimin e kësaj," tha ai. Zyrtarët amerikanë kanë frikë se mund të zbulohen më shumë informacione.

Planet e Ukrainës

Ukraina ka mohuar po ashtu zërat se trupat e NATO-s janë dislokuar në vend, pas publikimit të dokumentave sekrete amerikane. “Informacionet se do të kishte njësi speciale të vendeve të NATO-s në Ukrainë, pas publikimit të dokumenteve tepër sekrete që i atribuohen Pentagonit janë të rreme,” tha në një konferencë për shtyp në Madrid, ministri ukrainas i mbrojtjes Oleksyi Reznikov. Megjithatë, qartazi në kontradiktë me deklaratat në publik, thuhet se pas rrjedhjes së dokumenteve sekrete, Ukraina ka vendosur të ndryshojë disa prej planeve të saj ushtarake, përfshirë ato për kundërofensivën e pranverës.

Trupat ukrainase janë përballur prej muajsh me një sulm rus në lindje të vendit, të përqendruar rreth qytetit të Bakhmutit. Ukraina shpresonte të niste një kundërofensivë në javët ose muajt e ardhshëm për të rimarrë territoret e pushtuara nga Rusia, por nuk dihet se çfarë do të ndodhë tani për shkak të kësaj situate.

Rreziku nga lufta bërthamore

Megjithatë, rreziku  nga përshkallëzimi i luftës tani, më shumë se kurrë, është real. Në Bruksel, NATO ka diskutuar vazhdimisht mbi çështjen e sigurimit të pajisjeve ushtarake për Ukrainën. Sfida, gjatë gjithë kësaj lufte, ka qenë se si t’i jepte Ukrainës mbështetje të mjaftueshme ushtarake, por pa u përfshirë vetë në konflikt me Rusinë. Qeveria ukrainase ka qenë e qartë me kërkesat për ndihmë. Ndër të tjera, Ukraina kërkon tanke, avionë luftarakë, dronë dhe sisteme të avancuara të mbrojtjes ajrore raketore. Por, çfarë po e pengon NATO-n të përmbushë këto kërkesa? Përgjigjja është përshkallëzimi…. Rreziku i përdorimit të armëve bërthamore taktike nga Rusia ose i përhapjes së konfliktit përtej kufijve të Ukrainës në një luftë më të gjerë europiane, është vazhdimisht në mendjet e liderëve perëndimorë. Presidenti Putin gjatë kësaj periudhe i ka kujtuar shpeshherë botës se Rusia është një fuqi e armëve bërthamore. Planifikuesit strategjikë të NATO-s shqetësohen se sapo të thyhet “tabuja” bërthamore, atëherë rreziku i përshkallëzimit të një shkëmbimi bërthamor katastrofik midis Rusisë dhe Perëndimit rritet në mënyrë të pashmangshme. Por veç përdorimit të armëve bërthamore, edhe veprimet e NATO-s në Ukrainë, si furnizimet e mëtejshme me armë mund të nxisin një luftë mes tyre dhe Rusisë.

Putin me dorë “të hekurt”, sanksionon 333 figura publike kanadeze

Presidenti i Rusisë Vladimir Putin ka vendosur sanksione ndaj 333 zyrtarëve kanadezë dhe figurave publike, duke përfshirë olimpikë të shquar. Goditja ruse vjen si një përgjigje e ashpër ndaj kufizimeve kanadeze ndaj Moskës dhe mbështetjes për Ukrainën. Rusia ka vendosur në mënyrë rutinore sanksione ndaj zyrtarëve perëndimorë dhe individëve të profilit të lartë, pasi Perëndimi shënjestroi qindra individë dhe kompani ruse për pushtimin e Ukrainës.

Lista, e publikuar nga ministria e jashtme e Rusisë ditën e djeshme, përfshin Guvernatoren e Përgjithshme të Kanadasë, Mary Simon, më shumë se 250 anëtarë të asambleve legjislative rajonale dhe shumë atletë kanadezë që kanë mbështetur publikisht ndalimin e sportistëve rusë që të konkurrojnë në Lojërat Olimpike të 2024-ës.

“Kjo masë është krijuar për të inkurajuar ata që janë në listën e zezë që të ndryshojnë sjelljen e tyre”, tha ministria në një deklaratë.

Lexo edhe: Shpërthen mina pranë centralit bërthamor – Finlanda në alarm: Rusia vendos pajisje bërthamore pranë kufirit! 

Olimpistët kanadezë të shënjestruar nga Rusia përfshijnë kërcimtaren e akullit Tessa Virtue, pesë herë fituese e medaljes olimpike dhe hokejisten Hayley Wickenheiser, një olimpike gjashtë herë.

Kujtojmë se Kanadaja i ka vendosur sanksione të dashurës së Vladimir Putinit, ish-gjimnastes Alina Kabaeva, si dhe zyrtarëve të institucioneve të tjera ruse për luftën e Rusisë në Ukrainë. Mediat kanë raportuar gjerësisht se Kabaeva dhe Putin janë të përfshirë në një lidhje romantike, edhe pse Putin e mohoi këtë gjë kur u raportua për herë të parë në vitin 2008. Ministrja e Jashtme e Kanadasë Mélanie Joly tha sot se “Ne synojmë bankat, oligarkët pranë regjimit të Putinit, nuk e di si ta quaj atë, partneren e tij”.

Çfarë ndodhi? Rusia shoqëron në kufi avionin gjerman

Një avion luftarak rus shoqëroi një avion gjerman zbulues.

Ky i fundit raportohet se u afrua afër kufirit rus, ka thënë Moska.

Sipas ministrisë së mbrojtjes, avioni patrullues i marinës gjermane udhëhiqej mbi Deltin Baltik nga avion përcjellës.

Sipas Moskës avioni gjerman P-3C Orion nuk e kaloi kufirin rus.

Kryeministri polak bën parashikimin e frikshëm: Ja çfarë do të ndodhë nëse Moska pushton Kievin

Kryeministri i Polonisë, Mateusz Morawiecki tha se nëse Ukraina humbet luftën e saj me Rusinë, atëherë Kina mund të vendosë të pushtojë Tajvanin.

“Nëse, o zot, Ukraina bie, nëse Ukraina pushtohet, të nesërmen Kina mund të sulmojë Tajvanin”, tha Mateusz Morawiecki.

Ai tha se këtë mendim e kishte pasi sheh shumë ndërveprim midis situatës në Ukrainë dhe situatës në Tajvan.

“Unë shoh shumë ndërveprim midis situatës në Ukrainë dhe situatës në Tajvan,” theksoi ai.

Rusia nën rrezikun e një grusht shteti dhe kaosi politik, Putinit po i del në dritë sekreti që është përpjekur ta fshehë për shumë kohë në Moskë

Ndonëse në Kremlin janë përpjekur ta fshehin me çdo kusht, Rusia është më e dobët se kurrë në fushë-betejë, kundër Ukrainës. Këtë e kanë konfirmuar edhe  raportet e Perëndimit, sipas të cilëve, numri i ushtarëve rusë të vrarë ose të plagosur gjatë luftës në Ukrainë së shpejti do të kalojë 200,000. Besohet se vetëm rreth 40,000 njerëz vdiqën. Këto humbje janë pothuajse dhjetë herë më të mëdha se ato të pësuar nga Moska gjatë luftës sovjeto-afgane që zgjati nga viti 1979 deri në 1989. Pavarësisht humbjeve kaq të mëdha, publiku rus është kryesisht i heshtur.

Humbjet e mëdha

Mbështetja për Luftën e Vietnamit filloi të bjerë kur media filloi të shkruante për viktimat. Nga ana tjetër, media shtetërore ruse rrallëherë flet për numrin e viktimave në “operacionin special ushtarak” në Ukrainë dhe nuk dihet fare se çfarë di populli rus për të. Foreign Policy thekson se humbjet si ato që pësoi Rusia nuk do të mund të fshihen për shumë kohë. Ushtarët rusë të plagosur tashmë po kthehen në shtëpi dhe u tregojnë familjeve të tyre atë që kanë përjetuar në frontin e luftës. Dhe ka nga ata që kthehen me arkivole në vendlindje.

Sa më të mëdha të jenë humbjet në luftë, aq më e vështirë do të jetë për presidentin rus Vladimir Putin që ta justifikojë atë. Nuk ka shumë studime mbi reagimin e njerëzve ndaj vuajtjeve në luftëra, por ata pak që janë bërë dhe historia e regjimeve autoritare tregojnë se Kremlini së shpejti do ta gjejë veten në telashe.Putini, si shumë autokratë të tjerë, duhet të qetësojë miqtë e tij dhe njerëzit e thjeshtë në të njëjtën kohë. Rritja e numrit të viktimave, pavarësisht se si i portretizojnë mediat ruse, do t'ia vështirësojë të dyja këto.

Heshtja e popullit

Shumë nga ushtarët rusë që vdiqën në Ukrainë vijnë nga populli normal rus. Ushtria mercenare Wagner, që përfshiu edhe të burgosuritnë luftë, pësoi humbje të mëdha. Shumica e ushtarëve vijnë nga qytete të vogla. Ndërsa humbjet ushtarake rriten, më shumë rusë do të pyesin nëse këto sakrifica kanë kuptim. Për t'i qetësuar ata, Putini mund të ndjejë nevojën për të rritur përfitimet për këto pjesë të shoqërisë. Kjo do të thotë se pagat e nëpunësve civilë mund të rriten, por edhe biznesi me shtetin, me të cilin jetojnë elitat, do të bëhet më fitimprurës. Duke qenë se Rusia është nën sanksione, pyetja është se sa kohë do të jetë në gjendje të përballojë një presion të tillë financiar.

Bindja e elitave

Rusia po e bën gjithnjë e më të vështirë bindjen e individëve nga grupet e margjinalizuara për të shkuar në luftë, dhe Kremlini thuhet se ka ndaluar rekrutimin e mëtejshëm të të burgosurve. Kjo do të thotë se viktimat e ardhshme do të jenë anëtarë të familjeve të pasura dhe grupe më të fuqishme politikisht. Ndryshe nga publiku, elitat janë mbështetëse të Putinit. Asnjë zyrtar i lartë i vetëm nuk dha dorëheqjen në shenjë proteste dhe çdo kritikë ndaj pushtimit nuk u fokusua kurrë në humbjen e fuqisë punëtore dhe makinerive, por më së shumti u fokusua në zbërthimin e strategjisë ushtarake dhe mungesën e burimeve. Kritikët e luftës nuk duan që ajo të përfundojë, por duan që Ukraina të sulmohet edhe më fort.

Rrëzimi i Putinit

Më e rëndësishmja, nuk ka kundërshtarë të luftës në hapësirën publike, sepse Kremlini i ka bërë të tilla demonstrata të paligjshme. Putini pranoi me vështirëse mobilizimin e vitit të kaluar, i cili i solli 300 mijë ushtarë të rinj dhe tani për tani me të drejtë ka frikë nga një mobilizim i ri. Kur u përpoq për herë të fundit të zgjidhte problemet e fuqisë punëtore në ushtri, më shumë se 200 mijë njerëz u larguan nga Rusia. Në fund të fundit, Rusia është një autokraci. A ka vërtet rëndësi nëse publiku e mbështet luftën në Ukrainë?

Autokratët janë të vështirë për t'u rrëzuar nga pushteti, veçanërisht gjatë luftës, dhe autokratë si Putini nuk largohen nga froni edhe pas humbjes në luftë. Saddam Husseini i mbijetoi dështimeve ushtarake në luftërat kundër Iranit dhe Kuvajtit, Joseph Stalin i mbijetoi humbjes në Luftën Sovjeto-Finlandeze dhe Presidenti sirian Hafez al-Assad Luftës së Yom Kipur. Nuk duhet pritur që humbjet e mëdha të çojnë në rënien e Vladimir Putin. Megjithatë, sigurisht që do ta vështirësojë punën e tij për të qëndruar në pushtet.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat