LIVE: Dokumentet amerikane i nxjerrin sekretet e errëta Orbanit, Kina braktis përfundimisht Rusinë; del në skenë arma e re e fuqishme

Evropë

LIVE: Dokumentet amerikane i nxjerrin sekretet e errëta Orbanit, Kina braktis përfundimisht Rusinë; del në skenë arma e re e fuqishme

Nga: Bota sot Më: 15 prill 2023 Në ora: 06:19 Përditësuar në ora: 12:58 më 15.04.2023
Pamje nga lufta në Ukrainë

Dorëzohet shefi i Wagner: Është koha për t’i dhënë fund ‘operacionit special ushtarak’ në Ukrainë

Udhëheqësi i ushtrisë mercenare ruse Wagner Yevgeny Prigozhin, në një koment të publikuar nga shërbimi i tij për shtyp, tha se shpallja e përfundimit të “operacionit special ushtarak” në Ukrainë dhe mbajtja e fokusit në territoret e pushtuara do të ishte ideale.

“Për autoritetet ruse dhe për shoqërinë në tërësi, është e nevojshme t’i jepet një lloj fundi operacionit ushtarak special. Opsioni ideal është të shpallet fundi i operacionit special ushtarak dhe të informohen të gjithë se Rusia ka arritur rezultatet që kishte planifikuar dhe ne në njëfarë kuptimi e kemi arritur me të vërtetë. Ne shkatërruam një numër të madh ushtarësh të Forcave të Armatosura të Ukrainës dhe mund t’i raportojmë vetes se detyra jonë është përmbushur”, tha Prigozhin dhe citati është përkthyer nga portali Ukrainska Pravda.

“Teorikisht, Rusia e ka arritur tashmë këtë duke shkatërruar një pjesë të madhe të popullsisë aktive mashkullore të Ukrainës dhe duke frikësuar një pjesë tjetër të saj që iku në Evropë. Rusia preu Detin Azov dhe një pjesë të madhe të Detit të Zi, të okupuar një pjesë të madhe të territorit të Ukrainës dhe krijoi një korridor tokësor për në Krime”, shtoi ai.

Në fund ai shton se është kundër çdo negociate me Ukrainën.

Zbulohet lufta e brendshme në Kremlin, ja si Putini ka ndërhyrë për të shuar sherret e forta në rrethin e tij të ngushtë

Moska ka patur një reagim thuajse “të vakët” lidhur me publikimin e dokumenteve sekrete amerikane, dhe mesa duket jo p arsye. Ato duket se kanë hedhur dritë mbi statusin e fuqisë politike dhe ushtarake të Moskës pas pushtimit të Ukrainës. Dosjet e publikuara nga New York Times përmbajnë plot njëzet e shtatë faqe dokumente nga “zemra” e aparatit të sigurisë amerikane. Konkretisht, ato përfshijnë dosje nga Agjencia e Sigurisë Kombëtare, Zyra e Drejtorit të Inteligjencës Kombëtare dhe Drejtoria e Inteligjencës e Shtabit të Përbashkët të Pentagonit. Dhe pasqyrojnë  më qartë se çdo here, pikëpamjet e Perëndimit dhe SHBA-së për perandorinë e Vladimir Putinit dhe në luftën e brendshme në Kremlin pas pushtimit të Ukrainës.

Numri i viktimave

Dokumentet kanë konfirmuar luftën mes aparateve apo institucioneve, si për shembull mes Shërbimit Sekret të Brendshëm (FSB) dhe Ministrisë së Mbrojtjes për hezitimin e saj për të raportuar numrin real të të rënëve në Ukrainë. Madje flitet se Putin bën drejtpërdrejt rolin e “ndërmjetësit” në konfliktet mes besnikëve të tij.  

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU

SHBA i jep goditjen shkatërruese “qenit besnik” të Putinit, ja plani i bujshëm amerikan që do të izolojë plotësisht Hungarinë

Të jesh mik i Vladimir Putinit, njeriut që ka trazuar gjithë botën me luftën në Ukrainë, ka kosto. Këtë po e provon në kurriz, Viktor Orban, kryeministri i Hungarisë, i konsideruar shpesh edhe si “qeni besnik” i presidentit rus. Lideri hungarez ka marrë mbase goditjen më të fuqishme ndonjëherë nga Perëndimi, veçanërisht nga Uashingtoni. Amerika po e izolon plotësisht vendin, duke vendosur sanksione ndaj vetë Orbanit, si dhe rrethit të tij të ngushtë.

Kongresi i SHBA po përgatit sanksione për njerëzit afër Orbanit, përfshirë zyrtarë të lartë të qeverisë dhe partinë nacionaliste-klienteliste të krahut të djathtë në pushtet Fidesz. Sipas gazetës londineze “The Guardian”, ligji mund të miratohet në fillim të majit dhe duke qenë se është propozuar nga përfaqësues të partive demokratike dhe republikane, besohet se nuk do të ketë asnjë problem me pranimin e tij.

Pro dhe kundër

Kështu, Hungaria u gjend në një pozitë të vështirë, e cila e izolon gjithnjë e më shumë nga BE-ja dhe NATO-ja. Është kulmi i përkeqësimit të marrëdhënieve amerikano-hungareze dhe pozitës gjithnjë e më të izoluar të Hungarisë në BE dhe NATO për shkak të një qëndrimi të ndryshëm në lidhje me agresionin rus kundër Ukrainës. Pyetja është nëse edhe Brukseli do të ndjekë propozimin amerikan, duke pasur parasysh se ligjet diskriminuese hungareze për të drejtat e komunitetit LGBTIQ+ kanë shkaktuar tashmë një përçarje në vendet e BE-së. Duhet pranuar se për këtë çështje mund të ketë një përçarje mes përfaqësuesve të Partisë Republikane, sepse mbështetësit e Donald Trump ndoshta do të jenë kundër. Kujtojmë se në ditën kur ish-presidenti amerikan Donald Trump duhej të dilte në gjykatë në Nju Jork, Viktor Orban i dërgoi atij një mesazh mbështetjeje: “Ne jemi me ju Presidenti Trump”.

Lajmin e plotë mund ta lexoni KETU

Dokumentet amerikane i nxjerrin sekretet e errëta Orbanit, ja si miku i Putinit e ka ndihmuar Ukrainën me armë

Pas “tradhtisë” së Serbisë, që thuhet se ka dërguar armë në Ukrainë, Putin duket se po merr “thika pas shpine” nga aleatët, radhazi pa ndalim. Këtë herë është Hungaria, që mund të ketë lejuar armët për Ukrainën të kalojnë nëpër territorin e saj, sipas një raporti në lidhje me dokumentet sekrete të SHBA-së, të zbuluara së fundmi.

“Dokumentet e SHBA-së tregojnë se Hungaria, e cila ndan një kufi të vogël me Ukrainën, mund të jetë duke lejuar fshehurazi aleatët të përdorin hapësirën e saj ajrore për të lëvizur armët në fushën e betejës pavarësisht premtimeve për të ndaluar transferime të tilla”, raportoi “Politico”. Por është shumë më interesante që Kroacia përmendet për herë të parë në dokumentet e zbuluara, si një nga vendet e shumta që ofron ndihmë ushtarake për Ukrainën. Një nga dokumentet e zbuluara përshkruan në detaje planin e pilotëve ukrainas për të fluturuar me helikopterë të dhuruar nga Kroacia në Ukrainë "përmes hapësirës ajrore hungareze".

Nëse është ivërtetë, ky informacion tregon jo vetëm se Hungaria po transporton armë përmes territorit të saj, por kundërshton raportet e mediave se helikopterët do të transferohen në rrugë tokësore ose ajrore në Poloni.

“Politico” këtu i referohet një artikulli nga “Jutarnji List”, i cili njoftoi se mbërritja e UH-60M Black Hawk në Kroaci mundësoi daljen nga funksioni të një pjese të flotës Mi-8 të Forcave Ajrore Kroate në vitin 2022. Për këtë arsye, Kroacia vendosi se 14 helikopterë të saj së shpejti do të transferohen në Poloni për t'iu dorëzuar forcave të armatosura të Ukrainës.Zyrtarët hungarezë dhe kroatë nuk iu përgjigjën kërkesave për koment lidhur me rastin.

Kina gati për “Luftën e Tretë Botërore”, del në skenë arma e re e fuqishme, ja çfarë kanë zbuluar dokumentet sekrete të Pentagonit

Në një kohë kur gjithnjë e më shumë flitet për një luftë të mundshme mes SHBA-së dhe Kinës, kjo e fundit duket se i ka hedhur edhe më shumë “benzinë zjarrit”. Dokumentet sekrete amerikane kanë zbuluar se vendi rival i tyre ka krijuar një raketë të re e cila mund t'i shmanget mbrojtjes së SHBA.

Raporti tepër sekret nga drejtoria e inteligjencës së Shefave të Shtabit të Përbashkët, i përpiluar më 28 shkurt, tregon se raketa e re e Kinës DF-27 ishte subjekt i një testimi të suksesshëm. Pajisja e re përshkruhet si një raketë balistike hipersonike me rreze të mesme veprimi dhe është pjesë e serisë Dongfeng, një grup raketash të gatshme për të dhënë koka bërthamore. Sipas raportit të rrjedhur, arma "posedon një probabilitet të lartë për të depërtuar" në mbrojtjen e raketave balistike amerikane.

Po ashtu thuhet se raketa e sapokrijuar është e aftë të fluturojë me shpejtësi pesë herë më të madhe se ajo e zërit dhe se ka një mjet rrëshqitës hipersonik. Kjo do të thotë se mund të zhvendoset gjatë fluturimit, duke e bërë tepër të vështirë rrëzimin. Dokumenti vuri në dukje se DF-27 fluturoi për rreth 12 minuta, duke udhëtuar 2,100 kilometra (1,300 milje), sipas raportimit të “Washington Post”.

Po ashtu, në dosje, Kina nuk përmendet vetëm për këtë. Vendi thuhet se miratoi një lëvizje për të mbështetur Rusinë me dërgesa armësh, por dëshironte që përfshirja e saj të mbetej sekret, duke i quajtur dërgesat “pajisje”, jo “armë”. Përfaqësuesi i Ministrisë së Jashtme të Kinës Qin Gang, pretendoi se Kina nuk do t'i jepte kurrë armë asnjërës palë në luftën e Ukrainës dhe si rezultat do të kufizonte edhe eksportin e teknologjisë me përdorim të dyfishtë.

Zvicra ndan 2 miliardë dollarë për Ukrainën, pas kritikave për përgjigjje ndaj luftës

Zvicra ka thënë se do të shpenzojë 2 miliardë dollarë për të dërguar ndihmë humanitare dhe asistencë për zhvillim të Ukrainës në gjashtë vjetët e ardhshëm.

Ky vendim është marrë, pas kritikave të Perëndimit ndaj Bernit, që të bëjë më shumë për të mbrojtur veten kundër pushtuesve rusë.

Qeveria zvicerane ka konfirmuar për ndarje të 2 miliardë dollarëve deri më 2028, përveç 300 milionë dollarëve që tashmë i ka ndarë për këtë, dhe vitin tjetër.

Rreth 650 milionë dollarë tashmë janë rezervuar për të ndihmuar në rindërtim të Ukrainës.

Shumë vende e kanë kritikuar Zvicrën edhe pse nuk ka dhënë autorizim për dërgim të armëve të prodhuara nga ajo në fushëbetejën në Ukrainë.

Mirëpo zviceranët kanë argumentuar se kushtetuta e tyre parasheh neutralitet, dhe ndalon dërgimin e armëve në zona të luftës, siç është ajo në Ukrainë.

Lufta në Ukrainë ka nisur më 24 shkurt 2022.

Presidenti rus, Vladimir Putin, e quan luftën si “operacion special ushtarak” për të çmilitarizuar Ukrainën.

Perëndimi është përgjigjur ndaj Rusisë, duke goditur ekonominë e këtij shteti me sanksione të ashpra.

Si pasojë e luftës kanë vdekur mijëra persona dhe miliona të tjerë janë zhvendosur nga shtëpitë e tyre.

Kina braktis përfundimisht Rusinë, premton se nuk do i dërgojë armë Vladimir Putinit: Nuk do t'i hedhim benzinë ​​zjarrit

Qeveria kineze theksoi ditën e djeshme se nuk do të furnizojë Rusinë me armë në mbështetje të pushtimit aktual të Ukrainës nga Moska, tani ose në të ardhmen.

"Ne nuk i furnizojmë dhe nuk do t'i furnizojmë palët në konflikt me armë," tha Ministri i Jashtëm Qin Gang pas gati dy orësh bisedimesh me Ministren e Jashtme gjermane Annalena Baerbock në Pekin.

Ai tha gjithashtu se mallrat me qëllime të dyfishta, të cilat mund të përdoren për qëllime civile dhe ushtarake, janë nën kontroll ligjor. Në këtë mënyrë, pala kineze iu përgjigj paralajmërimeve të shpeshta të SHBA-së dhe vendeve të tjera perëndimore drejtuar Kinës për të mos furnizuar me armë Rusisë. Roli i Kinës në Ukrainë është të promovojë pajtimin dhe të avancojë bisedimet e paqes, tha Qin Gang.

“Nuk do të vazhdojmë t’i hedhim benzinë zjarrit”, deklaroi ai.

Komentet e tij erdhën pasi Baerbock i bëri thirrje Kinës që ta shtyjë më fort presidentin rus Vladimir Putin për t'i dhënë fund luftës kundër Ukrainës. Ministri gjerman tha se vizita e liderit kinez Xi Jinping në Moskë tregoi se asnjë vend tjetër nuk ka më shumë ndikim në Rusi sesa Kina. “Vendimi se si të përdoret ky ndikim prek drejtpërdrejt interesat themelore të Evropës”, theksoi ajo.

Ashtu si Kina mori pjesë me sukses në pajtimin paqësor midis Iranit dhe Arabisë Saudite, ne shpresojmë se ajo gjithashtu do të inkurajojë Rusinë që përfundimisht t'i japë fund agresionit të saj kundër Ukrainës dhe të angazhohet në një zgjidhje paqësore të konfliktit, tha ministri i Jashtëm gjerman. Baerbock gjithashtu vuri në dukje se, si një anëtare e përhershme e Këshillit të Sigurimit, Kina ka një përgjegjësi të veçantë.

Shtatë të vrarë nga sulmi ajror rus në qytetin Sloviansk

Të paktën pesë persona u vranë dhe 17 të tjerë u plagosën të premten nga një sulm ajror rus mbi qytetin Sloviansk në lindje të Ukrainës. Sipas Policisë Kombëtare të Ukrainës, raketat ruse S-300 goditën 10 ndërtesa banimi dhe objektiva të tjera. Dy katet e siperme të një ndërtese pesëkatëshe u shembën pas sulmit.

Një fëmijë i mitur u nxor i gjallë nga rrënojat, por vdiq rrugës për në spital, tha Daria Zarivna, një zyrtare e lartë në zyrën e presidentit ukrainas Volodymyr Zelenskyy. Guvernatori rajonal i Donetskut, Pavlo Kyrylenko, tha gjithashtu se shtatë persona besohej se ishin bllokuar nën rrënoja.

“Shteti mëkatar demonstron edhe një herë shpirtin e tij”, shprehej zoti Zelenskyy në një postim të shoqëruar me pamjet e një ndërtese të dëmtuar. “Duke vrarë njerëz në mes të ditës. Duke shkatërruar gjithçka që ka jetë”.

Rusia shton përpjekjet në Bakhmut

Trupat ukrainase janë detyruar të tërhiqen nga disa pjesë të qytetit Bakhmut pasi forcat ruse ndërmorën një sulm të ri në qytetin e shkatërruar nga lufta.

Në vlerësimin e saj të përditshëm, ushtria britanike tha të premten se, “Rusia ka ringjallur sulmin e saj në qytetin Bakhmut të rajonit Donetsk pasi forcat e ushtrisë ruse dhe Grupi Wagner kanë përmirësuar bashkëpunimin”.

Zyrtarët ukrainas thonë se Rusia ka tërhequr trupat nga zona të tjera në front për të krijuar premisat e një sulmi të madh në qytetin Bakhmut, të cilin Moska është përpjekur për nëntë muaj që ta marrë, për të rifituar vrullin e fillimit të agresionit në shkallë të gjerë më shumë se një vit më parë.

Zëvendësministrja e Mbrojtjes së Ukrainës, Hanna Maliar, tha se komandantët rusë i kishin sjellë trupat në Bakhmut nga zona të tjera.

“Armiku po përdor atje njësitë e tij më profesionale dhe po shfrytëzon në mënyrë të konsiderueshme artilerinë dhe mjetet ajrore”, shkroi ajo në aplikacionin e mesazheve Telegram. “Çdo ditë, armiku kryen në Bakhmut 40 deri në 50 operacione dhe 500 goditje me artileri,” vuri në dukje ajo.

Njoftimet nga ushtria britanike thonë se ukrainasit ende kontrollojnë pjesët perëndimore të qytetit por dy ditë më parë ishin sulmuar ashpër nga zjarri i artilerisë ruse.

Ukraina planifikon të fillojë eksportin e energjisë elektrike në Sllovaki

Ukraina planifikon të fillojë eksportin e energjisë elektrike në Sllovaki në ditët në vijim.

Deklarata u bë e ditur nga Volodymyr Kudrytskyi, CEO i NEC Ukrenergo.

“Sot ka një tepricë të energjisë elektrike në sistemin tonë energjetik. Aktualisht, energjia elektrike po eksportohet në Poloni dhe Moldavi. Dhe ne po përgatitemi gjithashtu të hapim një destinacion të tretë – Sllovakinë. Shpresoj se ky vendim do të merret nga kolegët tanë sllovakë në ditët e ardhshme”, tha Kudrytskyi.

Ai tha se paratë e nxjerra nga eksportet janë një burim që i nevojitet sistemit energjetik për të financuar pjesërisht rimëkëmbjen përpara sezonit të ardhshëm të ngrohjes.

“Ukraina duhet të zërë vendin e saj në tregun evropian të energjisë pas unifikimit të sistemeve të energjisë. Ukraina duhet të bëhet një nga furnizuesit kryesorë të energjisë së pastër dhe të lirë në tregun evropian,” shtoi Kudrytskyi.

Siç është raportuar, Ukraina filloi eksportin e energjisë elektrike në Evropë në fund të qershorit 2022. Në tetor, eksportet u pezulluan pasi raketat dhe dronët rusë filluan të synonin masivisht infrastrukturën energjetike të Ukrainës.

Pas stabilizimit të situatës, palët filluan të diskutojnë çështjen e rifillimit të furnizimit me energji elektrike në Evropë. Më 7 prill, Ministri i Energjisë, German Galushchenko nënshkroi një dokument ekzekutiv që jep dritë jeshile për procesin e rifillimit të eksporteve të energjisë elektrike nëse sistemi energjetik sheh një tepricë të kapacitetit gjenerues.

Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki: Lufta e Rusisë ndaj Ukrainës mund të zgjasë me vite

Kryeministri i Polonisë Mateusz Morawiecki beson se lufta e Rusisë kundër Ukrainës mund të zgjasë disa vjet.

“Ne nuk jemi duke llogaritur ndonjë datë të saktë. Ne thjesht po vëzhgojmë se çfarë po ndodh në front, në fushën e betejës. Dhe në përputhje me rrethanat, ne po përpiqemi të përshtatemi me situatën dhe të punojmë përmes diplomacisë sonë me partnerët tanë në Evropën Perëndimore për të mbështesin Ukrainën”, tha Morawiecki.

Duke iu përgjigjur pyetjes nëse kjo luftë mund të zgjasë disa vite, kryeministri polak tha se ishte e mundur.

Më 13 prill, qeveria gjermane miratoi kërkesën e Polonisë për të eksportuar avionë luftarakë MiG-29 nga rezervat e ish-RDGJ-së në Ukrainë.

Më herët, Polonia i ka dorëzuar tashmë Ukrainës tetë MiG-29.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat