Policia italiane mblodhi gati 2 tonë kokainë, të mbështjella në qese plastike mbrojtëse dhe që pluskonin në det pranë bregut lindor të Siçilisë, njoftuan autoritetet të hënën.
Ekipi i policisë financiare vlerësoi se kjo sasi droge ka një vlerë prej 450 milionë dollarësh.
Pakot e kokainës ishin lidhur me rrjeta me njëra-tjetrën, thuhet në deklaratën e policisë. Sasia e plastikës që mbështillte kokainën për ta mbrojtur nga uji, ishte e përllogaritur për të mos e zhytur ngarkesën në det.
Një nga hipotezat e hetuesve është se një anije mallrash mund ta ketë lënë ngarkesën në det, në kuadrin e një skeme sipas të cilës një tjetër mjet detar do të kalonte më vonë për ta marrë drogën dhe për ta nxjerrë në breg. Avionët e policisë kontrolluan edhe në zonën përreth për të pikasur ndonjë pako me kokainë që mund të ishte veçuar nga ato të lidhura me rrjetë.
Në total, policia mblodhi mbi 1600 pako me kokainë, të cilat ishin bashkuar në 70 grupe që pluskonin mbi ujë, thuhet në deklaratën e policisë./VOA