Shoqata MVI (Medical Volunteers International Serbia) ka postuar në Instagram një video nga qendra e pritjes në Sombor të Serbisë.
“Një qendër zyrtare tranzite e financuar nga qeveria supozohet të jetë një vend i sigurt për njerëzit në lëvizje. Kjo video tregon të kundërtën. Kjo është dëshmi e qartë se policia serbe po rrah ilegalisht individë.
Djali në këtë video është i mitur”, thuhet përbri videos.
“Njerëzit raportuan se ata të kapur nga policia u dërguan në jug në Preshevë. Fatkeqësisht, kjo po bëhet sistematike. Qeveria e Serbisë jo vetëm që i injoron emigrantët, por shkel plotësisht të drejtat e tyre”, kanë shkruar ata në Instagram.
Siç mësoi televizioni N1, videoja është regjistruar dje në orët e para të mëngjesit, gjatë aksionit të rregullt policor për zhvendosjen e refugjatëve nga qendrat e pritjes në veri drejt qendrave në jug të vendit.
Është bërë e ditur se në rrjetet sociale po përhapen edhe video të policisë që rrahin emigrantët në pikën kufitare Mali Zvornik nga Serbia në Bosnjë dhe Hercegovinë.
Nga Ministria e Brendshme e Serbisë kanë bërë të ditur se po hetojnë rastin. Ndërsa në video shihen emigrantët, kryesisht të mitur duke u rrahur në mënyrën më brutale të mundshme.
Ata vazhdimisht goditeshin me shkopinj në kokë dhe pjesë tjera të trupit dhe tërhiqeshin zvarrë sikur të ishin kafshë.