Kryeministrja në largim e Finlandës, Sanna Marin, ka bërë kërkesë për divorc nga bashkëshorti i saj, Markus Raikkonen, pas tre vjetësh martesë, raportoi të mërkurën Reuters.
"Ne i jemi mirënjohës për 19 vjetët që i kaluam së bashku dhe vajzën tonë të dashur. Do të mbesim gjithmonë miq të mirë", ka njoftuar çifti në rrjetet sociale në postime të ndara.
Marin dhe Raikkonen, të cilët deri vonë kanë punuar sipërmarrës në një firmë, kanë një vajzë 5-vjeçare.
Ata u martuan në vitin 2020 derisa Marin ishte në detyrë duke u marrë me ndikimin e pandemisë COVID-19.
"Ne kemi jetuar rininë tonë së bashku, kemi hyrë në moshën madhore së bashku dhe jemi bërë prindër për vajzën tonë të dashur", shkroi Marin në Instagram.
Marin dhe Partia e saj Social Demokratike humbën zgjedhjet parlamentare të Finlandës muajin e kaluar, duke u vënë pas Partisë së Koalicionit Kombëtar të krahut të djathtë si dhe Partisë nacionaliste finlandeze.
Marin ishte kryeministrja më e re në botë, duke qenë vetëm 37-vjeçare kur mori detyrën në vitin 2019.