Marrëdhënia e manjatit Yevgeny Prigozhin me aleatin e tij prej kohësh, Presidentin Vladimir Putin, duket se ka arritur pikën më të ulët, sidomos pas videove me fyrje dhe një sërfë akuzash poshtëruese për trupat dhe udhëheqjen ruse. Situata është aq keq, sa kreu i Wagner, po luan një lojë të dyfishtë.
Ky është përfundimi nga një lajm i publikuar ekskluzivisht nga “Washington Post”, sipas të cilit lideri i grupit paraushtarak, Yevgeny Prigozhin, do t'i kishte ofruar ushtrisë ukrainase informacione se ku të sulmonin pozicionet ruse nëse ushtria e Kievit do të tërhiqej nga zonat përreth qytetit të Bakhmutit.
Në bazë të dokumenteve të inteligjencës amerikane, në fund të janarit, Prigozhin u premtoi komandantëve ukrainas se, nëse ata tërhiqnin ushtarët e tyre nga zona rreth Bakhmutit, ai do t'i siguronte Kievit informacione mbi pozicionet e trupave ruse, në mënyrë që Ukraina të mund t'i sulmonte ata.
Kurth për Ukrainën
Pasojat e mundshme të aferës janë evidente, të cilat megjithatë mund të jenë një kurth nga “kuzhinieri Putinit” për ukrainasit. Prigozhin ka kundërshtuar vazhdimisht publikisht qëndrimin e miratuar nga udhëheqja ushtarake dhe politike ruse ndaj luftës, dhe në veçanti ndaj Bakhmutit, por dhënia e informacioneve sekrete për armikun do të nënkuptonte tradhti. Dokumentet amerikane nuk specifikojnë se cilat pozicione ruse do të zbulonte lideri i Wagner.
Dy zyrtarë ukrainas konfirmuan në kushte anonimiteti për “Washington Post” se Prigozhin vazhdimisht i paraqiti propozimet drejtorisë së inteligjencës të Ukrainës, e njohur si “HUR”.
Një zyrtar, tha se Prigozhin kishte folur vazhdimisht për ofertën lidhur me Bakhmutin, por se Kievi e refuzoi sepse zyrtarët nuk i besojnë liderit të “Wagner” dhe kishin frikë nga një kurth. Edhe Uashingtoni, siç tha një zyrtar, dyshon në vërtetësinë e propozimit të Prigozhin dhe qëllimet e tij reale.
Oferta e Prigozhin
Dokumentet e tjera të zbuluara treguan se zyrtarët e Ministrisë së Mbrojtjes ruse po pyesnin veten se si t'i përgjigjeshin kritikave të Prigozhin për performancën e ushtrisë dhe thirrjeve të tij për më shumë municion. Dokumentet përmendin gjithashtu një luftë për pushtet midis Prigozhin dhe zyrtarëve të lartë, duke përfshirë ministrin rus të Mbrojtjes Sergei Shoigu.
Në këtë sfond të tensionuar, Prigozhin nisi lidhjet sekrete me inteligjencën ukrainase përmes telefonatave dhe takimeve ballë për ballë me oficerët e “HUR” në një vend të paspecifikuar afrikan, thuhet në dokument.
Inteligjenca amerikane thekson se Prigozhin ankohet për humbjet e rënda që kanë pësuar luftëtarët e tij dhe i kërkon Ukrainës që të godasë më fort trupat ruse. Prigozhin i tha një oficeri të inteligjencës ukrainase se ushtrisë ruse po i mbaronin furnizimet me municion dhe këshilloi forcat e Kievit të vazhdonin me një sulm në kufirin e Krimesë, sipas një dokumenti.
Reagimi i Rusisë
Zëdhënësi i Kremlinit Dmitry Peskov tha se raporti "dukej si mashtrimi i radhës".
Në një mesazh audio në Telegram, Prigozhin i quajti akuzat "të pakuptimta" dhe akuzoi se banorët e periferisë Rublyovka të Moskës, shtëpia e elitës së biznesit dhe politikës, qëndronin pas një sulmi ndaj tij. Prigozhin mohoi të kishte takuar Kyrylo Budanov, kreun e inteligjencës ushtarake ukrainase, në Afrikë, duke thënë se ai nuk kishte qenë në kontinent që nga fillimi i konfliktit në Ukrainë dhe duke e portretizuar idenë e një telefonate me të, si qesharake.Ka shenja se Kremlini po shqetësohet gjithnjë e më shumë nga deklaratat dhe lëvizjet e Prigozhin.
Media shtetërore ka marrë tashmë direktiva për të ndaluar raportimin për Prigozhin, ndërsa “Washington Post” ka raportuar se ministria e mbrojtjes ka mbledhur materiale për një fushatë publicitare negative kundër tij. Meduza raportoi këtë javë se agjencive të lajmeve u është thënë të fillojnë "ta portretizojnë atë si një tradhtar" nëse ai vazhdon të kritikojë ministrinë e mbrojtjes. Por roli kyç që trupat e Wagner po luajnë në Bakhmut i jep Prigozhin disi “krahë”. Ekspertët thonë se nëse ushtarët e tij largohen, e gjithë vija e frontit do të marrë fund.