Tetë persona janë arrestuar pasi stërnipi i Zonjës së Parë të Francës, Brigitte Macron, u sulmua të hënën pas një fjalimi televiziv nga presidenti francez, raporton BBC.
Jean-Baptiste Trogneux u rrah nga protestuesit antiqeveritar në qytetin verior të Amiens.
Ai është goditur në kokë, krahë dhe këmbë dhe është në pritje të rezultatit të skanerit.
Po ashtu raportohet se u sulmua jashtë dyqanit të çokollatës së familjes, i cili ka qenë vazhdimisht në shënjestër të protestuesve.
Policia lokale thotë se ka arrestuar tetë persona për këtë rast.
Sulmuesit u larguan nga vendi i ngjarjes pasi fqinjët ndërhynë për të ndaluar sulmin.
Duke folur të martën, zonja Macron i tha agjencisë së lajmeve AFP se ishte në solidaritet të plotë me familjen e saj dhe dënoi “frikacakërinë, marrëzinë dhe dhunën” e sulmit.
“Unë e kam denoncuar vazhdimisht këtë dhunë, e cila mund të çojë vetëm në më të keqen”, tha ajo.
Babai i Jean-Baptise Trogneux, Jean-Alexandre Trogneux, u tha mediave franceze se sulmuesit “kaluan kufirin” dhe ofenduan “presidentin, gruan e tij dhe familjen tonë”.