Rreth 42 mijë vetë rrezikohen nga përmbytjet në zonat e kontrolluara nga Rusia përgjatë lumit Dnipro në Ukrainë, pas shkatërrimit të një dige në Nova Kakovka. Shefi i Ndihmave në OKB, Martin Griffiths paralajmëroi gjatë fjalës së tij në Këshillin e Sigurimit për pasoja të rënda dhe me shtrirje të gjerë.
“Shkatërrimi i digës së centralit hidro-elektrik të Kakhovka është një prej dëmëve më të mëdha në infrastrukturën civile që prej nisjes së luftës në shkurt të vitit 2022. Magnituda e katastrofës do të kuptohet plotësisht gjatë ditëve në vijim, por që tani është e qartë se do të ketë pasoja të rënda për mijëra njerëz në jug të Ukrainës”, tha Griffiths.
Ukraina dhe Rusia fajësojnë njëra-tjetrën për shkatërrimin e digës që shkaktoi vërshime masive uji përgjatë një zone të madhe lufte, e detyroi evakuimin e mijëra personave. Kievi pretendon se forcat ruse ndërmorën një akt të qëllimshëm lufte, duke hedhur digën në erë
“Vetëm çlirimi i plotë i tokave ukrainase nga pushtuesit rus do të garantojë ndaljen e sulmeve të tilla terroriste. Rusia përdor çdo gjë për të shkaktuar terror. Shteti terrorist duhet të humbasë”, tha Presidenti i Ukrainës, Volodymyr Zelensky./ EO
Por, Moska fajëson Kievin dhe gjatë një seance të Këshillit të Sigurisë, foli për akt të qëllimshëm sabotazhi: “Sabotazhi i ndërmarrë nga Kievi kishte dy qëllime kryesore; së pari të tërhiqte vëmendjen maksimale për të krijuar mundësitë e favorshme për kundërofensivën e paralajmëruar; dhe së dyti, të shkaktonte dëmin maksimal humanitar ndaj popullsisë”.