Policia franceze përdori gaz lotsjellës ditën e shtunë, teksa u përlesh me protestuesit që kundërshtonin ndërtimin e një linje të re të shpejtësisë së lartë mes Francës dhe Italisë, që sipas qytetarëve do të dëmtojë ambientin alpin.
Rreth 5 mijë protestues, sipas organizatorëve dhe 3 mijë sipas policisë morën pjesë në protestën në San Remi de Maurien, në juglindje të Francës, duke sfiduar urdhrin e ndalimit të grumbullimit.
Policia përdori gaz lotsjellës kur një fraksion i protestuesve nisi të hidhte bomba molotov ndaj forcave të sigurisë.
Protestuesit, gjithashtu bastisën zyrat e një stacioni treni, edhe pse trafiku hekurudhor ishte ndalur më herët si pasojë e situatës.
I mbështetur nga Bashkimi Evropian, projekti për linjën e re do të lidhë qytetin francez të Lionit me atë italian të Torinos, përmes një tuneli të gjatë 57.5 km që do të kalojë përmes Alpeve. Ai kushton 26 miliardë euro.