Guvernatori i provincës Lipetsk në Rusi, Igor Artamonov tha të shtunën se grupi mercenar Wagner ka hyrë në rajon.
Rajoni i Lipetsk është rreth 360 kilometra në jug të Moskës dhe shumë më afër kryeqytetit sesa Rostov-on-Don, ku forcat Wagner iu afruan qytetit.
Siç u raportua më parë, një video e mediave sociale – të cilën BBC e verifikoi, tregoi një kolonë të Wagner me automjete që udhëtonte në rajonin e Lipetsk-ut, që ndodhet midis qytetit të Voronezh dhe Moskës.
“Agjencitë e zbatimit të ligjit dhe autoritetet… po marrin të gjitha masat e nevojshme për të garantuar sigurinë e popullatës. Situata është nën kontroll”, tha Artamonov.
Artamonov gjithashtu u kujtoi banorëve se “ata këshillohen fuqimisht të mos largohen nga shtëpitë e tyre dhe të shmangin udhëtimet me çdo mjet”.
BBC gjatë ditës raportoi se ushtarët e Wagner kanë marrë në kontroll ndërtesa ushtarake në qytetin e Voronezhit, një qytet mes Moskës dhe Rostovit, për të cilën mercenarët pretendojnë se kanë po ashtu kontrollin.
Guvernatori i rajonit Voronezh, Aleksandër Gusev ka paralajmëruar se ka shumë raportime false që po qarkullojnë rreth një lëvizjeje të armatosur në rajon.
Ai gjithashtu thotë se forcat e armatosura ruse po kryejnë tani “masa operative dhe luftarake” në rajonin e Voronezhit si pjesë e aksionit të shpallur më herët kundër terrorizmit.
Sipas BBC, një zjarr i madh ka shpërthyer në një depozitë nafte në Voronezh. Sipas Gusev, 100 zjarrfikës po punojnë për ta fikur zjarrin. Ende nuk është e qartë nëse zjarri ka lidhje me përparimin e forcave Wagner në Rusi.
Raportohet se ushtarë të Grupit Wagner po largohen nga misionet e tyre në Afrikë dhe Siri për t’iu bashkuar grusht-shtetit ushtarak në Rusi kundër presidentit rus Vladimir Putin.
Grupi Wagner është nisur në Moskë pasi të premten, kreu i tyre Yvgeny Prigozhin akuzoi udhëheqjen ushtarake ruse se ka bombarduar me raketa kampin e tyre ushtarak duke vrarë dhjetëra ushtarë të tij.
Ky grup fillimisht ka marrë qytetin Rostov të Rusisë.
Ndërkohë, Bjellorusia ka dal në anën e Rusisë.