Inflacioni në Eurozonë ka rënë sërish, por ka pak gjasa të ulë çmimet e ushqimeve dhe shërbimeve në një afat të shkurtër.
Kuota ishte 5.5% në qershor, më pak se 6.1 për qind që ishte në maj dhe ishte një vijim i trendit të rënies të verifikuar në muajt e fundit.
Pavarësisht rënies së qëndrueshme, kostoja e produkteve të përditshme mbetet e lartë në Evropë, krahasuar me ekonomitë e tjera perëndimore. Ajo është nxitur nga kostoja e lartë e energjisë dhe e krahut të punës që ka ardhur si pasojë e luftës në Ukrainë.
Shqetësues për krerët e financave të Eurozonës mbetet inflacioni bazë, që nuk përfshin çmimet e ushqimeve dhe karburanteve, i cili është rritur lehtshëm nga 5.3 në 5.4%.
Kjo sinjalizon se Banka Qendrore Evropiane do të vazhdojë politikën e saj të rritjes së normave të interesit, teksa vijon betejën për arritjen e objektivit për një inflacion në 2 për qind.
BQE i ka rritur 8 herë rresht normat nga minus 0.5 në 3.5 për qind dhe një rritje e mëtejshme pritet të ndodhë.