“Furtunë” në politikën e Malit të Zi, Prokuroria Speciale merr nën hetim 9 ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë

Evropë

“Furtunë” në politikën e Malit të Zi, Prokuroria Speciale merr nën hetim 9 ish-ministra dhe zyrtarë të tjerë të lartë

Më: 5 korrik 2023 Në ora: 11:48
Mali i Zi

Prokuroria Speciale e Shtetit të Malit të Zi ngriti ditën e djeshme një aktakuzë që akuzon 12 ish-zyrtarë në qeverinë e ish-kryeministrit Dushko Markoviç për shkelje në lidhje me kreditë e dhëna zyrtarëve shtetërorë për të blerë prona. Zëdhënësi i Prokurorisë Speciale, Vukas Radonjiç, tha se zyrtarët dhe 9 ish-ministra kanë shkelur procedurat e brendshme për marrëveshjet e kthimit të kredisë me zyrtarët shtetërorë.  Prokurori Vukas Radoniç ka njoftuar më 4 korrik se dyshohet se të akuzuarit e kanë dëmtuar buxhetin e shtetit për më shumë se 2.6 milionë euro.

Në mesin e të akuzuarve janë pesë deputetë Predrag Boshkoviç, Dragica Sekuliç dhe Suzana Pribiloviç nga Partia Demokratike e Socialistëve (DPS) dhe Ivan Brajoviç dhe Damir Shehoviç nga Social Demokratët. Për keqpërdorim detyre akuzohen edhe ish-ministrat Budimir Shegrt, Suad Numanoviq dhe Sanja Vllahoviç nga DPS-ja dhe Osman Nurkoviç nga Partia Boshnjake. Keqpërdorimi i pozitës zyrtare dënohet me burgim nga dy deri në 12 vjet.

Si i fundosi Abazoviç

Dritan Abazoviç ngriti kallëzim penal kundër tyre në mes të muajit tetor të vitit 2022, duke pretenduar se shteti është dëmtuar për rreth dy milionë euro. Duke komentuar ngritjen e aktakuzës, Abazoviç tha se shpreson se shteti do të kërkojë kompensim “nëse kemi epilog përfundimtar gjyqësor”.

“Më vjen keq që u dhanë 500 apartamente njerëzve që dëmtuan politikisht Malin e Zi me miliarda euro”, ka thënë ai. Ministrat e akuzuar kanë qenë në Komisionin Qeveritar për Çështje Banesore, i cili, përveç anëtarëve të Qeverisë ka ndarë banesa dhe kredi edhe për përfaqësuesit e pushteteve tjera, si deputetë, gjyqtarë e prokurorë. Prokuroria e shtetit i akuzon ata se kanë dhënë kredi për përmirësimin e kushteve të banimit mbi shumën e parashikuar deri në 15 mijë euro dhe pa vlerësim nga komisioni i ekspertëve të Administratës së atëhershme të Pronës. Prokuroria gjithashtu thekson se kredi individuale në vlerë prej 40 mijë euro u janë dhënë edhe zyrtarëve të cilët kanë kërkuar nga Komisioni 30 mijë euro në kërkesat e tyre për zgjidhjen e nevojave të tyre për banim.

“Natyrisht, tejkalimi i kërkesave të parashtruara është në kundërshtim me Ligjin për procedurë administrative dhe praktikën gjyqësore të Gjykatës Administrative të Malit të Zi”, ka thënë prokurori Radoniq në komunikatën për media. Kjo vlen edhe për shembullin kur kryetarja e atëhershme e Gjykatës Supreme, Vesna Medenica, kërkoi 30 mijë euro ndihmë, ndërsa Komisioni vendosi t’i japë 10 mijë euro më shumë. Prokuroria gjithashtu konstatoi se Qeveria e Dushko Markoviçit, në periudhën 2016-2020, i ka dhënë pëlqimin Komisionit për ndarjen e këtyre kredive. Prandaj, sipas njoftimit, ajo ka vendosur që një kopje të kallëzimit penal t’ia dorëzojë Prokurorisë Themelore të Shtetit në Podgoricë, për të vlerësuar nëse ekzistojnë baza të dyshimit se kryeministri dhe anëtarët e Qeverisë “kanë kryer veprën e vazhdueshme penale të punës së papërgjegjshme në shërbim”.

A ka shqiptarë mes të akuzuarve në Mal të Zi?

Gazetari Bekim Çoba është shprehur se mes të pandehurve nuk ka shqiptarë. “Nuk ka shqiptarë mes të pandehurve. Bëhet fjalë kryesisht për kryetarët  e PD dhe PS dhe dy partive aleate të tij, që tek ne quhen parti satelite sesa parti të pavarura. Është një numër i madh i personave që kanë përfituar  banesa. Jo të gjithë kanë përfituar në formën që kanë përfituar në mënyrën që kanë përfituar zyrtarët sepse disa kanë pasur dhe nevojë. Ministrat kanë përfituar më shumë se një banesë. Disa prej tyre kishin 5 mijë të ardhura në muaj dhe përsëri kanë aplikuar për strehim nga ana e qeverisë”, tha ai.

comment Për komente lëvizni më poshtë
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat