Qeveria e koalicionit të kryeministrit holandez, Mark Rutte është rrëzuar pas vetëm një viti e gjysmë në detyrë, për shkak të një përplasjeje ndaj masave për të frenuar fluksin e emigrantëve, kanë raportuar mediat lokale.
Rutte, udhëheqësi më jetëgjatë i Holandës, kryesoi bisedimet e krizës midis katër partnerëve të koalicionit, por nuk arriti një marrëveshje, njoftuan transmetuesit NOS dhe RTL dhe agjencia holandeze e lajmeve ANP.
Nuk kishte asnjë deklaratë të menjëhershme nga Rutte apo anëtarët e koalicionit.
Rutte, 56-vjeçar, lideri i partisë së qendrës së djathtë VVD, kishte dashur të shtrëngonte kufizimet për ribashkimin e familjeve të azilkërkuesve, pas një skandali vitin e kaluar në lidhje me qendrat e mbipopulluara të migracionit në Holandë.
Ai kërkoi që numri i të afërmve të refugjatëve të luftës të lejuar në Holandë të kufizohej në 200 në muaj dhe kërcënoi se do të rrëzonte qeverinë nëse masa nuk kalonte, raportuan mediat holandeze.