A llogaritet ngacmim seksual nëse një sulm zgjatë më pak se 10 sekonda?
Shumë të rinj në Itali po shprehin zemërim në rrjete sociale pasi një gjykatë e liroi një kujdestar teknik shkolle që e preku një adoleshente, sepse nuk zgjati mjaftueshëm.
Rasti përfshin një 17-vjeçare të një shkolle të mesme në Romë.
Ajo përshkroi se po ngjiste shkallët drejt klasës kur ndjeu se po i binin pantallonat, një dorë i preku të pasmet dhe i kapi të brendshmet, raportoi BBC.
“E dashur, po bëja shaka”, i tha burri asaj kur u kthye.
Pas ngjarjes, studentja e raportoi punonjësin teknik, 66-vjeçarin Antonio Avola.
Ai pranoi se e kishte prekur studenten pa pëlqimin e saj, por tha se ishte shaka.
Prokurori kishte kërkuar tre vjet e gjysmë burgim, por ai këtë javë u lirua nga akuza për sulm seksual. Sipas gjykatës, ajo që ndodhi “nuk përbënte krim” sepse zgjati më pak se 10 sekonda.
Që nga vendimi i gjykatës, “palpata breve” – prekje e shkurtër – është bërë trend në Instagram dhe TikTok në Itali, bashkë me hashtagun #10sekondi.
Italianët kanë postuar video duke shikuar nga kamera në heshtje dhe duke prekur pjesë intime për 10 sekonda.