Presidenti rus Vldimir Putin ka vendosur të mos e “heqë qafe” kreun e grupit Wagner, Yevgeny Prigozhin, të paktën jo ta eliminojë fizikisht, por po i heq çdo lloj funksioni të mundshëm që kishte në “epokën para rebelimit”, Madje, në një konferencë presidenti rus tha se kompania ushtarake private Wagner "thjesht nuk ekziston" si një person juridik, në komentet që i shtuan dozën e misterit serisë së kthesave shpesh të çuditshme që kanë pasuar revoltën e dështuar të grupit muajin e kaluar, kërcënimi më serioz për 23-të e Putinit. “Nuk ka ligj për organizatat private ushtarake. Thjesht nuk ekziston”, tha Putin të enjten vonë, duke iu referuar grupit Wagner. Madje, presidenti rus Vladimir Putin tha se u kishte propozuar luftëtarëve të Grupit që një mercenar i lartë i njohur si "Sedoi", që do të thotë "flokë gri" në rusisht, t'i komandonte ata në vend të Yevgeny Prigozhin.
“Sedoi”
"Sedoi" është emri i luftës i Andrei Troshev, një komandant i lartë Wagner, sipas dokumenteve të sanksioneve të Bashkimit Evropian, dokumenteve zyrtare franceze, burimeve me njohuri për këtë çështje dhe raporteve të mediave ruse. Bashkëpunëtorët e tij përfshijnë Dmitry Utkin, një ish-oficer i forcave speciale të inteligjencës ushtarake GRU dhe një themelues të Wagner, tha BE. Kanalet pro-Wagner në Telegram kanë thënë vazhdimisht se Troshev njihet si "Sedoi" dhe se ai është një nga komandantët më të lartë të Wagner. Gazeta Kommersant citoi Putinin të thoshte se "Sedoi" kishte qenë komandanti i vërtetë i Wagner. BE e përshkroi atë si "drejtorin ekzekutiv, shefin e Grupit Wagner" në dokumentin e tij të vitit 2021, i cili gjithashtu thotë se ai ishte një anëtar themelues i grupit. "Andrei Troshev është i përfshirë drejtpërdrejt në operacionet ushtarake të Grupit në Siri," tha BE. Si i tillë, ai ka një kontribut vendimtar në përpjekjet luftarake të Presidentit sirian Bashar al-Assad dhe për këtë arsye mbështetet dhe përfiton nga regjimi sirian."
Jeta e Troshev
Troshev lindi në Leningrad, Shën Petersburg-un e sotëm, më 5 prill 1962, sipas burimeve ruse. Dokumentet e sanksioneve perëndimore thonë se data e tij e lindjes është 5 prill 1953. Është e paqartë pse. Ai luftoi në Afganistan gjatë luftës dhjetëvjeçare të Bashkimit Sovjetik atje. Pas rënies së Bashkimit Sovjetik, shërbeu në Kaukazin e Veriut me ushtrinë ruse dhe më pas në SOBR, një njësi e forcave speciale të reagimit të shpejtë të ministrisë së brendshme ruse. Ai ishte komandant në njësi. Edhe pas daljes në pension, Andrei Troshev, si oficer luftarak, qoftë edhe në rezervë, nuk mund të ulej në shtëpi i qetë, duke parë nga jashtë ngjarjet që ndodhin në vend dhe në botë. Fillimisht, në verën e vitit 2016, ai drejtoi organizatën rajonale të Shën Petersburgut, Lidhja e Mbrojtjes së Interesave të Veteranëve të Luftërave Lokale dhe Konflikteve Ushtarake, për të mbështetur ata që e kishin të vështirë të dilnin në pension. Por kjo jetë relativisht e qetë nuk zgjati shumë. Ngjarjet siriane dhe kërcënimi i terrorizmit ndërkombëtar e rikthyen në shërbim. Për shërbimin në Afganistan, Troshev u nderua dy herë me Urdhrin e Yllit të Kuq. Atij iu dha medalja më e lartë e Rusisë, Hero i Rusisë, në vitin 2016 për sulmin në Palmira në Siri kundër militantëve të ISIS.
Fati i Wagner
Sakaq, Putin ka thënë më parë se trupat e Wagner duhet të zgjidhnin nëse do të nënshkruanin kontrata me Ministrinë e Mbrojtjes Ruse, do të transferoheshin në Bjellorusinë fqinje apo do të tërhiqeshin nga shërbimi. Sipas Putinit, edhe pse "shumë tundën kokën" kur ai bëri propozimin e tij, Prigozhin e hodhi poshtë idenë, duke u përgjigjur se "djemtë nuk do të pajtoheshin me një vendim të tillë". Kjo, tha Putin, ishte një nga "disa opsionet" e paraqitura në takim. Fati i Prigozhin dhe kushtet e një marrëveshjeje që i dha fund rebelimit të armatosur, mbeten të turbullta. Sakaq, mercenarët e Wagner janë duke përfunduar dorëzimin e armëve të tyre tek ushtria ruse dhe kjo duket se pasqyron përpjekjet e autoriteteve ruse për të zbutur kërcënimin që ata përbënin dhe gjithashtu duket se paralajmëron një fund të operacioneve të grupit mercenar në fushën e betejës në Ukrainë.